Japonia thyen rekordin, mbi 107 mijë njëqindvjeçarë: Cila është “receta” e jetëgjatësisë?
TOKIO, 17 shtator / ATSH- Të plakesh duke ruajtur shëndetin dhe aftësinë fizike është një nga sfidat kryesore të një popullsie globale që po përballet me rënien e lindjeve dhe rritjen e numrit të të moshuarve, shkruan salute.eu.
Japonia përbën një model demografik të veçantë, që tërheq vëmendjen e ekspertëve. Vendi ka një numër shumë të lartë të personave në moshë të avancuar, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre ruajnë një gjendje të mirë fizike.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Japonisë, vendi ka kaluar një tjetër rekord historik, duke regjistruar më shumë se 107 677 persona mbi 100 vjeç.
Numri i njëqindvjeçarëve është rritur në mënyrë të vazhdueshme për më shumë se pesë dekada.
Një tjetër veçori e rëndësishme është përbërja gjinore: rreth 88% e njëqindvjeçarëve janë gra.
Por çfarë fshihet pas jetëgjatësisë së japonezëve?
Sipas qasjes së përshkruar në artikull, nuk bëhet fjalë për një sekret të vetëm apo një “ilaç mrekullie”, por për një kombinim të ushqyerjes, aktivitetit fizik, parandalimit shëndetësor dhe një filozofie të caktuar jetese.
Washoku, ekuilibri në tryezë
Një nga elementet kryesore është Washoku, kuzhina tradicionale japoneze, e cila bazohet te thjeshtësia, sezonaliteti dhe ekuilibri ushqimor.
Dieta tradicionale përfshin:
Ushqime me densitet të lartë ushqyes dhe porcione të moderuara, veçanërisht perime të stinës, produkte të fermentuara të sojës si miso, tofu dhe natto, alga deti dhe oriz.
Peshk dhe yndyra të dobishme, me konsum të shpeshtë të peshqve si salmoni, skumbria dhe sardelet, që janë burime të acideve yndyrore Omega-3.
Çaj jeshil, veçanërisht matcha dhe sencha, të pasura me katekinë dhe përbërës antioksidues.
Një tjetër parim i njohur është “Hara Hachi Bu”, një traditë e lidhur veçanërisht me Okinawën, sipas së cilës duhet të ndalosh së ngrëni kur ndihesh rreth 80% i ngopur.
Ideja është të shmanget teprimi me ushqimin, duke ruajtur njëkohësisht marrjen e nevojshme të lëndëve ushqyese.
Lëvizja si pjesë e përditshmërisë
Në modelin japonez, aktiviteti fizik nuk lidhet domosdoshmërisht me palestrën. Lëvizja është e integruar në rutinën e përditshme.
Shumë të moshuar ecin çdo ditë për të bërë pazar, për t’u marrë me kopshtin ose për të përdorur transportin publik.
Një traditë tjetër është Radio Taiso, një seri ushtrimesh të shkurtra me shtrirje dhe lëvizje të trupit, të praktikuara prej kohësh në shkolla, vende pune dhe komunitete. Kjo lloj veprimtarie mund të ndihmojë në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe fleksibilitetit edhe në moshë të madhe.
Ikigai dhe lidhjet sociale
Jetëgjatësia nuk lidhet vetëm me shëndetin fizik. Në kulturën japoneze rëndësi i kushtohet edhe mirëqenies psikologjike dhe sociale.
Koncepti i Ikigai, i përkthyer shpesh si “arsyeja për t’u ngritur në mëngjes”, lidhet me ndjenjën e qëllimit dhe dobisë në jetë.
Shumë të moshuar vazhdojnë të jenë aktivë në komunitet përmes kopshtarisë, artizanatit, vullnetarizmit ose kujdesit për familjarët. Ideja është që aktiviteti, marrëdhëniet shoqërore dhe ndjenja e qëllimit mund të kontribuojnë në një plakje më aktive.
Në këtë këndvështrim, “sekreti japonez” i jetëgjatësisë nuk qëndron në një faktor të vetëm, por në një mënyrë jetese ku ushqyerja e ekuilibruar, lëvizja e përditshme, parandalimi dhe lidhjet sociale ndërthuren gjatë gjithë jetës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.