Policia e Shtetit-Qato: Protesta e PD-së e paligjshme, cënon sigurinë qytetare
Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike ne Polocine e Shtetit, Altin Qato, në një deklarate për mediat u shpreh në lidhje me protestën e paralajmëruar të Partisë Demokratike ditën e hënë, se Policia e Shtetit nuk ka dhënë lejen për zhvillimin e kësaj proteste.
Qato u shpreh se “Partia Demokratike e Shqipërisë ka lajmëruar se në datën 24 prill, ditën e hënë, do të zhvillojë një protestë publike, e cila do të shoqërohet me bllokimin e disa rrugëve kryesore kombëtare. Policia e Shtetit njofton se nuk ka dhënë lejen për zhvillimin e kësaj proteste. Ky vendim i Policisë së Shtetit është në përputhje të plotë me nenin 8 të Ligjit nr. 8773, datë 23.4.2001 “Për tubimet”.
Më tej, Qato shtoi se “Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme që cënojnë lirinë e qytetareve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm”.
“Në përputhje me nenin 21 të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 ”Për tubimet”, Policia e Shtetit do të regjistrojë çdo shtetas dhe çdo automjet që i vihet në dispozicion një manifestimi të tillë dhe bashkë me provat përkatëse do t’i paraqesë organit të Prokurorisë kallzimin penal përkatës. Kodi Penal, përkatësisht neni 262 dhe 274 të tij, sanksionojnë dënime të rënda deri me burgim, për atë shtetas që marrin pjesë në manifestime të paligjshme dhe/ose prishin rendin dhe qetësinë publike”, u shpreh Qato.
Ai theksoi se Policia e Shtetit gjithashtu, siç ka dëshmuar në gjithë këto vite, është plotësisht e aftë për të përmbushur detyrimin ligjor si garante e zhvillimit të çdo tubimi paqësor kudo dhe nga kushdo.