Policia, masa të rënda efektivëve të përfshirë në kanabis
Policia e Shtetit duket se do të mbajë të njëjtin standard për çdo komisariat, në territorin e të cilit zbulohet kanabis. Ashtu si në rastin e komisariatit të Kurbinit, Shkodrës dhe Përmetit, edhe për policët e Skraparit u morën masa të rënda disiplinore.
“Nënkomisar Sokol Çeçaj, me detyrë specialist për krimet në komisariatin e Skraparit, për krime të rënda u përjashtua nga policia. Inspektor Xhelil Seferasi, nënspecialist për rendin në komisariatin e Skraparit, u përjashtua. Leonard Dejtia, specialist në seksionin për rendin, u përjashtua po ashtu nga policia”, ka deklaruar Altin Qato, drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, për 8 efektivë të tjerë, përfshirë drejtorin dhe nëndrejtorin e policisë së Beratit, ka nisur procedimi disiplinor.
Të mërkurën Prokuroria e Krimeve të Rënda zbuloi në Skrapar një laborator modern për përpunimin e kanabisit. Laboratoi gjendej në brendësi të një fasonerie, ku prodhohen çanta kartoni, verë dhe raki, e cila më parë ka qënë edhe fabrikë e prodhimit të bimëve medicinale.
Sipas prokurorisë, në laborator janë gjetur mbi 2 mijë rrënjë bimë të mbjellja në vazo, si edhe një sasi e madhe kanabis i tharë. Policia vuri në pranga administratoren e fabrikës dhe një 49-vjeçar.
Po ashtu janë gjetur pajisje elektrike të cilat dyshohet se përdoreshin për prodhim të bimëve narkotike. Dy javë më parë po në këtë zonë u sekuestrua mbi 1 ton kanabis.