Ekonomia

Politika monetare nuk e çliron kredinë, BSH: Huaja ecuri të plogësht

bKredia për sektorin privat ka shënuar rritje të moderuar në periudhën tetor nëntor, raportoi Banka e Shqipërisë ndonëse politika monetare ka qenë krah të lehtësimit të huadhënies.

Ecuria e plogësht e kreditimit të ekonomisë evidenton probleme si nga ana e kërkesës dhe nga ajo e ofertës. Stoku i kredisë ka shënuar rritjen më të lartë të vitit kundrejt tremujorëve të tjerë, duke reflektuar efektin sezonal të kësaj periudhe, të përqendruar në muajin tetor, argumenton banka. Kredia në lekë, megjithëse me ritëm më të ngadalësuar, ka vijuar të mbështesë rritjen e kredisë për sektorin
privat. Nga ana tjetër, kredia në valutë mbetet ende në territor negativ, por duke zbutur normat e reduktimit vjetor.

Portofoli i kredisë për biznese evidenton një përmirësim të lehtë mujor, por normat vjetore të rritjes së tij mbeten pranë zeros, duke përcaktuar dobësinë e kreditimit të sektorit privat. Zhvillimet në këtë segment konfirmojnë situatën e përkeqësuar të kreditimit të bizneseve në vitet e fundit.
Kërkesa për financim e bizneseve mbetet e brishtë, duke pasqyruar shfrytëzimin jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe situatën e përgjithshme makroekonomike.

Nga ana e ofertës, megjithë lehtësimin e kushteve të kreditimit krahasuar me tremujorin e tretë, ato mbeten ende të shtrënguara në segmente të caktuara.

Nga ana tjetër kredia për individë shfaqet me rritje të qëndrueshme, megjithëse me ritme më të ngadalësuara në muajt tetor-nëntor. Vitet e fundit, ecuria pozitive e këtij portofoli ka udhëhequr zgjerimin e kredisë për sektorin privat. Kredia për individë është ndikuar pozitivisht nga kërkesa në rritje për financim, kushtet e lehtësuara të kreditimit për disa tremujorë radhazi, si dhe ofertat konkurruese
në treg për këtë segment.
Ecuria e këtij portofoli reflekton kryesisht kërkesën për kredi konsumatore, ndërsa kredia hipotekare shfaqet me rritje më të moderuar. Kjo e fundit ka shfaqur norma më të larta rritjeje në periudhën tetor-nëntor, në sajë dhe të ofertave tërheqëse të tregut për këtë periudhë.

Normat e interesit të kredisë janë reduktuar më tej në muajt tetor-nëntor, në reflektim të politikës monetare lehtësuese dhe rritjes së konkurrencës në tregun bankar. Rënia e normave të interesit është shfaqur më e dukshme në segmentin e kredisë në euro, e përqendruar kryesisht në kredinë për biznese,
dhe në një masë më të ulët në atë për individë.

Marzhi i ndërmjetësimit është reduktuar më tej, si për monedhën vendase, ashtu dhe për euron. Normat e interesit të depozitave në euro shfaqen me rënie më të ndjeshme krahasuar me normat e depozitave në lekë, duke shënuar norma të ulëta historike në të dyja segmentet.

Ndërsa në vendet e Rajonit të EQJL-së shfaqet i përmirësuar në muajt tetor-nëntor. Zgjerimi i kredisë në këtë rajon udhëhiqet nga vendet e Evropës Qendrore, si Polonia dhe Çekia, të cilat bartin peshë të konsiderueshme ndaj kredisë për sektorin privat në rajonin e EQJL-së. Megjithëse ka shenja rimëkëmbjeje të kredisë në rajonin e Ballkanit, ajo shfaqet ende e brishtë dhe e paqëndrueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button