Bota

Politika perëndimore e sanksioneve

Ndërsa Vladimir Putini i zbukuron problemet e vendit të tij, popullata ndjen peshën e dyfishtë të sanksioneve dhe rënies së çmimit të naftës. Por e ka bërë Perëndimi hesapin pa hanxhinë?

Ekonomia ruse është përtokë. Rubla është në rënie të vazhdueshme, pavarësisht nga ndërhyrja masive e bankës qendrore. Zyrtarët rusë kanë pranuar se kombinimi i sanksioneve me rënin e e çmimit të naftës e dëmton vendin, edhe pse presidenti Putin dhe aparati i tij shtetëror thonë të kundërtën. Ministri i Financave ka llogaritur se Rusia për shkak të sanksioneve të vazhdueshme çdo vit do të mund të humbasë 140 miliardë euro në investime. Një tjetër shifër e bën edhe më të qartë mjerimin. Zhvillimi ekonomik rus vitin e ardhshëm do të pësojë një rënie prej 4.7 për qind, në qoftë se çmimet e naftës do të mbeten në nivelin aktual.

Këtu duket pak i çuditshëm pohimi i ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, se qëllimi i sanksioneve nuk është që të dobësojë ekonominë ruse. Atëherë shtrohet pyetja, cili është qëllimi? “Qëllimi i vërtetë i sanksioneve është të ndalojë aksionet Rusisë në Ukrainë. Në afat të shkurtër kjo nuk mund të realizohet patjetër me sanksione. Pikërisht ky është problemi. Ne nuk e dimë me siguri, por mund të supozojmë se pa sanksione Rusisë do t’i ishte lënë e hapur porta, për të përvetësuar një territor edhe më të madh nën flamurin ‘Novorussia’. Pa sanksione Rusia do të kishte hyrë edhe me më shumë trupa në Ukrainë dhe do të kontrollonte ndoshta një territor shumë më të madh”, thotë Kristi Raik, punonjëse shkencore në Institutin finlandez për politikë ndërkombëtare dhe bashkëautore e një publikimi të kohëve të fundit: http://www.fiia.fi/en/publication/450/eu_sanctions_against_russia/: studim mbi ndikimin e sanksioneve të BE-së.

Kurthi i sanksioneve

A do të zgjasë periudha e re e acartë?
A do të zgjasë periudha e re e acartë?

Shtrohet pyetja, nëse evropianët dhe amerikanët e kanë menduar deri në fund dhe a kanë marrë parasysh edhe pasojat e mundshme jo vetëm për Rusinë, por edhe për komunitetin ndërkombëtar. Disa ekspertë paralajmërojnë nga kurthi i sanksioneve, në të cilin mund të binte vetë Perëndimi. Me sanksionet, thotë Mark Leonard, drejtor i European Council on Foreign Relations, dhe bashkëautor i studimit: ka një dilemë. Sa më të efektshme të jenë ato kundër Rusisë, aq më shumë minojnë objektivat afatgjata të evropianëve dhe amerikanëve.

“Nga njëra anë sepse sanksionet për një periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë forcojnë Putinin, konsolidojnë pushtetin e tij dhe i lejojnë atij gjithçka, për të mbajtur elitën e vendit në kontroll. Ai e ka detyruar këtë elitë, që t’i sjellë paratë përsëri në Rusi. Në anën tjetër ata përshpejtojnë orientimin e Rusisë drejt Azisë me hapjen e tregjeve të reja dhe me marrëdhëniet me Kinën.”

Përveç kësaj, thotë Leonard, sanksionet tregojnë qartë se Rusia ekonomikisht nuk mund të vihet në garë me Perëndimin. Në vend të kësaj Putini do të inkurajohet të dëshmojë fuqinë e tij ushtarake, kështu që mund të kishte aksione të tjera si ai i Ukrainës.

Çfarë mund të vinte pas Putinit?

Përveç kësaj Perëndimi shkel në terren politikisht të rrezikshëm. Në qendrat e pushtetit në BE dhe SHBA ka me sa duket disa, që besojnë se sa më shumë të detyrohet të gjunjëzohet ekonomikisht Rusia, aq më shpejt do të revoltohet populli kundër Putinit. Por edhe në këtë rast Perëndimi mund ta ketë bërë hesapin pa hanxhinë. “Çfarë do të vinte pas Putinit? Një regjim i ri nuk do të ishte patjetër properëndimor”, thotë Raik.

Në fakt shpejt mund të ndodhte e kundërta, thotë Mark Leonard. “Putin është përpjekur gjithmonë që të forcojë legjitimitetin e tij duke e lidhur popullin pas vetës përmes politikës së tij të jashtme. Kur ekonomia është në vështirësi, ushqehet nga krizat gjeopolitike. Dhe prandaj është e interesuar të krijojë kriza të mëtejshme.”

E ardhme e errët

Edhe sikur gjendja e keqe ekonomike të vuloste rrëzimin e Putinit, pasardhësi i tij nuk do të ishte patjetër zgjidhja më e mirë për Perëndimin. Shkalla e destabilizimit dhe e kaosit në një skenar pas Putinit mund të ishte aq e madhe, saqë shumë do të dëshironin që të kthehej Putini. “Ekziston rreziku që skeptrin ta marrë një kandidat, që është shumë më nacionalist dhe më i pa kompromis. Duhet parë thjesht se problemi i Putinit nuk ka qenë kurrë elita liberale, properëndimore. Shqetësimi i tij më i madh është forcimi i mundshëm i nacionalistëve.”

Në këtë luftë të mundshme për pushtet Leonard nuk sheh ndonjë rol për opozitën. Edhe dikush si Aleksei Navalny, shpresa e madhe e lëvizjes anti Putin, struket dhe nuk guxon të kritikojë aneksimin e Krimesë nga Putini.

Çfarë do të ndodhë? Putini me sa duket e ka nënvlerësuar vendosmërinë e Perëndimit. Deri tani nuk shenja të divergjencave brenda BE në lidhje me sanksionet. Megjithatë BE duhet të shohë përpara. Sepse edhe nëse tani sinjalizon, që t’i përmbahet sanksioneve, politika e sanksioneve duhet menduar edhe një herë, më së voni në pranverë. Ka shumë përkrahës së politikës së mbajtjes në shah, siç është praktikuar në luftën e ftohtë, me shpresën se regjimi do të bjerë dikur. Por Mark Leonard nuk është i bindur për këtë. “Nuk jam i sigurtë, se ekziston vullneti politik, për të rezistuar kaq gjatë. Nuk jam i bindur se konsensi brenda BE është me të vërtetë aq i fortë.”

A ekziston në Perëndim vullneti politik për të rezistuar gjatë?A ekziston në Perëndim vullneti politik për të rezistuar gjatë?

Pyetja mund dhe duhet t’i drejtohet edhe Uashingtonit. Fundja bilanci i politikës amerikane të sanksioneve amerikane nuk është i suksesshëm. “Patëm sanksione kundër Rusisë, kur u sulmua Gjeorgjia, por ata u hoqën sërish, sepse Obama donte ta riorientonte politikën ndaj Rusisë, edhe pse Rusia nuk i kishte plotësuar kushtet për heqjen e sanksioneve. Është e lehtë të imagjinohet që një gjë të tillë mund të ndodhë përsëri, në qoftë se një qeveri e ardhshme amerikane duhet të reagojë ndaj krizave të mëdha, si Irani, apo “IS” dhe atje ka nevojë për ndihmë ruse.”

Ndërsa bota perëndimore pret Krishtlindjet, rusët duhet të presin edhe ca për të festuar festen e tyre ortodoke. Për shkak të mjerimit ekonomik festa nuk ka për të qenë shumë e begatë. Nëse Putini do të kishte një dëshirë për Krishtlindje, ajo do të ishte shpërthimi i një krize të re të madhe, gjeopolitike, që do ta ndihmonte, për ta larguar vemendjen nga problemet dhe për ta mbledhur popullin rreth tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button