POLONI – Disa të plagosur në sulmin me thikë në një shkollë profesionale
VARSHAVË, 7 tetor /ATSH-PAP/- Të paktën tetë persona janë plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë, në një sulm me thikë në një shkollë profesionale në Poloni.
“I dyshuari për sulmin, një 19-vjeçar, është arrestuar”, tha një zëdhënëse e policisë.
Sulmi ndodhi në një qendër të formimit profesional në qytetin Ostroleka, rreth 100 kilometra në veri të Varshavës. Mes të plagosurve ka nxënës dhe mësues.
Sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendngjarje, i riu kishte një thikë në dorë dhe po sulmonte njerëzit. Personat që po sulmoheshin thuhet se kërkonin ndihmë me zë të lartë.
Shërbimet e emergjencës mbërritën shpejt në vendngjarje. Pas sulmit, i dyshuari u largua nga ambientet e shkollës, por më vonë u arrestua në periferi të qytetit, tha zëdhënësja e policisë.
Policia po vijon hetimet për të përcaktuar arsyen ose motivin e mundshëm të sulmit.
Kryetari i bashkisë së Ostroleka-s, Pawel Niewiadomski, tha se situata ishte nën kontroll dhe se autori i dyshuar ndodhej në paraburgim.
Ai njoftoi gjithashtu se nxënësve dhe mësuesve të prekur nga ngjarja, do t’u ofrohej mbështetje psikologjike. Ostroleka ka rreth 48 mijë banorë.
Shkolla e formimit profesional është mbyllur deri në një njoftim të dytë. Mësimi është pezulluar gjithashtu në të gjitha shkollat e tjera të qytetit. /



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.