Bota

Porti i Bejrutit, burimi kryesor i ekonomisë libaneze që u shkatërrua nga shpërthimi

Një ndër portet më të rëndësishme të Mesdheut Lindor dhe pothuajse porta e Libanit që i hapet botës nëpërmjet rrugës detare.

Një ndër portet më të mëdha të Detit Mesdhe, Porti i Bejrutit në Liban që u shkatërrua si rezultat i një shpërthimi masiv, ishte burimi kryesor i ekonomisë libaneze.

Dje fillimisht shpërtheu një zjarr në depon numër 12 ku gjendeshin lëndë shpërthyese në Portin e Bejrutit, porti kryesor tregtar i Libanit.

Pas zjarrit, ndodhu një shpërthim masiv që tronditi gjithë Bejrutin dhe si rezultat i kësaj humbën jetën dhjetëra persona, ndërsa mijëra u plagosën.

Zyrtarët libanezë njoftuan se 2.750 tonë nitrat amoni që mbahej 6 vite në një depo ka shpërthyer përderisa po dërgohej në Afrikë. Pas shpërthimit Porti i Bejrutit, u shndërrua në një rrënojë të madhe.

Porti i Bejrutit gjendet në veri të kryeqytetit në bregun e Mesdheut. Porti i cili gjendet në rrëzë të Maleve Libaneze, ka një rol të rëndësishëm në ekonominë e Libanit një ndër portet më të mëdha dhe më të ngarkuar të Mesdheut Lindor.

Prej cilës datë shërben Porti i Bejrutit?

Porti i Bejrutit, që nga periudha e Perandorisë Romake e deri më tani është një port tregtar rajonal dhe lidhje e rëndësishme ekonomike mes Lindjes dhe Perëndimit, në rajonin e Levantit që përfshinë Libanin dhe Sirinë.

Kjo rëndësi buron nga fakti se porti gjendet në një pikë strategjike që lidh Mesdheun me Lindjen e Mesme si dhe të pikës së kryqëzimit të kontinenteve të Azisë dhe Afrikës.

Porti u hap në periudhën osmane duke u zgjeruar në vitin 1894, ndërsa në vitin 1925 një kohë mbeti në duart e francezëve. Porti i Bejrutit në 1960 kaloi në duart e libanezëve.

Porti pësoi dëme të mëdha gjatë luftë së brendshme në Liban që filloi në vitin 1974, ndërsa që nga viti 1990 kur përfundoi lufta hyri në periudhën e ristrukturimit dhe zgjerimit.

– Cila është infrastruktura e Portit dhe mundësitë që i posedon?

Porti i Bejrutit përfshin një tokë me sipërfaqe prej 1,2 milionë metra katrorë ku gjenden edhe terminale të pasagjerëve edhe të kargos.

Porti përbëhet nga 12 depo ndërsa në të gjendet edhe hambar gruri me kapacitet prej 120.000 tonë. Porti gjithashtu ka një kapacitet prej 1.200.000 konteiner në vit.

Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujor të portit është 1 milion e 2 mijë metra katrorë, ndërsa gjatësia totale e dokut është 5.655 metra. Porti, për shkak të lokacionit strategjik dhe mundësive që posedon, përdoret nga kompanitë më të mëdha të transportit detar në botë si një qendër transferimi.

Nga kjo pikë gjithashtu me një përqindje të madhe bëjnë hyrje në vend produktet e importuara.

– Cila është rëndësia strategjike e Portit të Bejrutit?

Porti i Bejrutit është një ndër portet më të rëndësishme të Mesdheut Lindor dhe pothuajse porta e Libanit që i hapet botës nëpërmjet rrugës detare.

Në raportin e Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD) në vitin 2018, Porti i Bejrutit me performancën e shfaqur u rendit i 38-ti në mesin e 171 porteve në mbarë botën.

Në nivel rajonal, porti në mesin e vendeve me porte në Lindjen e Mesme, sipas raportit të njëjtë është në vendin e 6-të. Raporti tërheq vëmendjen në rëndësinë e Portit të Bejrutit qoftë në nivel rajonal e qoftë atë ndërkombëtar.

Porti për shkak të pozicionit gjeostrategjik kryen lidhjen e Jordanisë Arabisë Saudite, Irakut dhe vendeve tjera të Gjirit me Mesdheun.

– Çfarë kontributi ka Porti për ekonominë e Libanit?

Sipas uebfaqes “portdebeyrouth” ku publikohen të dhëna rreth portit, që nga viti 2005 të ardhurat që porti i ka sjellë vendit janë rritur gradualisht.

Sipas këtyre të dhënave të ardhurat totale të Portit të Bejrutit në vitin 2005 është 89 milionë dollarë, kurse në vitin 2017 kjo shifër rritet në 313 milionë dollarë.

Fitimi neto në qeverinë e Libanit në vitin 2005 ka qenë afër 14 milionë dollarë, ndërsa në 2017 është rritur në 124 milionë dollarë.

Në port në vitin 2002 punonin 1.029 persona, më pas në vitin 2017 ky numër është zvogëluar deri në 281 me zhvillimin e infrastrukturës teknologjike.

Libani në vitin 2002 fitoi të ardhura neto prej 3,2 dollarë për tonë të transportuar nga porti, ndërsa në 2017 është rritur në 15 dollarë për tonë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button