Posti i ambasadorit u takon diplomatëve të karrierës
MUSTAFA NANO
Në diskutimin mbi projektligjin për shërbimin diplomatik, që u bë në Komisionin Parlamentar, ra në sy që mazhoranca dhe opozita ishin në një mendje kur iu desh të mbanin qëndrim lidhur me idenë inovative të Ministrisë së Jashtme për t’u shkëputur nga praktika e ambasadorëve që “merren hua” nga shoqëria civile e mbi të gjitha, nga elita politike e vendit. Për pikat e tjera të projektligjit pati plot mospajtime mes palëve, ndërsa kur erdhi puna te çështja e emërimit të ambasadorëve, të gjithë u vunë në mbrojtje të kuotës së 20 përqindëshit. Në gazetën “Shqip” raportohej të nesërmen e mbledhjes së komisionit parlamentar, se “deputetët e mazhorancës dhe opozitës kërkuan që në këtë pikë të mos i bëhen ndryshime ligjit ekzistues, d.m.th. 80% e ambasadorëve të zgjidhen prej diplomatëve të karrierës, ndërsa 20% e vendeve t’u lihen në dispozicion njerëzve që janë jashtë sistemit të diplomacisë”. Përballë murit të konsensusit, ministri Bushati, i thirrur në raport, nuk u mendua shumë, dhe bëri një tërheqje. Madje, nuk bëri asnjë tentativë për ta mbrojtur këtë risi të tijën. Me sa duket, nuk ka qenë shumë i bindur.
Si shpjegohet vallë që palët politike në Shqipëri, të cilat nuk para kanë demonstruar se kanë aftësinë e dëshirën për ta kërkuar e për ta arritur një ujdi me njëra-tjetrën (në kronikën politike janë të rralla, shumë të rralla, rastet kur mazhoranca e opozita kanë gjetur gjuhën e përbashkët), si shpjegohet pra që PS-ja e PD-ja këtë herë nuk hoqën shumë për t’u marrë vesh? Është shumë e thjeshtë. Kuota e 20 përqindëshit u jep mundësinë atyre që janë në pushtet (çdo opozitë e di se do të vijë shpejt në pushtet) që t’u kthejnë nderin miqve e bashkëpunëtorëve të tyre që u janë ndodhur pranë tërë kohën, e që në një moment të caktuar, për një arsye a një tjetër, nuk janë në politikë, nuk duan të mbeten në politikë apo do t’ua kish qejfi një “periudhë relaksi” në një ambasadë shqiptare në ndonjë vend të huaj (kjo nxjerr në shesh dhe një mentalitet, sipas të cilit posti i ambasadorit është jo përgjegjësi e barrë, por një qoshe e rehatshme ku mund të kalohet mirë ca kohë). Shkurt, është një mundësi për të kryer ndonjë qokë apo për të larë ndonjë borxh dhe në këtë kuptim, të preferuarit nuk është e thënë të jenë veç veteranë të politikës. Ata mund të zgjidhen edhe nga radhët e intelligentsia-s, mund të jenë edhe intelektualë publikë, artistë, shkrimtarë etj., të cilët njihen, përveçse për kontributin e suksesin e tyre në profesionet që ushtrojnë, edhe për qëndrime politike në favor të njërës palë apo tjetrës. E kështu, simpatia politike, në ndonjë rast rreshtimi i qartë (që në vetvete nuk është hiç i qortueshëm), bëhet garanci për të kapur një vend pëllumbash në ambasadë (s’ke ç’i bën; jetojmë prore në kohët kur ka njerëz që përgjërohen, e që çfarë nuk do të jepnin, për të bërë ambasadorin; të ngjan se jemi ende para vitit 1990, kur të dilje “jashtë shtetit” ishte një ëndërr e ndaluar).
Zërat në mbrojtje të kuotës së 20 përqindëshit në diplomaci mund të nxjerrin si justifikim edhe faktin që kjo praktikë e ka burimin te një traditë e jona, që rëndom ilustrohet me emrat e intelektualëve apo të eksponentëve të ndryshëm të politikës, të përfshirë në një moment të caktuar të jetës së tyre e të jetës nacionale, në diplomaci. Dhe harrohet se, edhe në vitet ’20 e ’30 të shekullit të shkuar, kjo praktikë është adoptuar ose me të njëjtën logjikë ose nga halli. Pastaj, nuk duhet të na dalë nga mendja se bëhet fjalë për kohët kur sfidat më të mëdha të Shqipërisë ishin të natyrës diplomatike, e kur bash për këtë arsye politika, madje edhe kultura, ishin një me diplomacinë. Me këtë shpjegohet që eksponentët më të rëndësishëm të kulturës e të politikës e panë veten në momente të një emergjence kombëtare në skenën e diplomacisë, duke luajtur role që nuk mund t’i luante askush tjetër. Faik Konica, Fan Noli, Gjergj Fishta, Mehdi Frashëri, Luigj Gurakuqi, Mit’hat Frashëri etj., kanë bërë kush më shumë e kush më pak në lëmin e diplomacisë, në role episodike apo në rrethana të pazakonta, atë që asnjë trupë ambasadorësh të karrierës nuk do të mund ta bënte. Dhe angazhimi diplomatik i këtyre personaliteteve i jepte diplomacisë sonë një fuqi e charm që ndryshe nuk do t’i kish.
Sot, nuk është më kështu. Ne nuk jemi më në rrethanat kur na duhet të krijojmë nga e para një diplomaci, me anë të së cilës të krijojmë një shtet të ri apo të mbrojmë një shtet të sapoformuar. Ne sot na duhet të krijojmë e të mbrojmë një imazh të caktuar kombëtar, na duhet pra që ta bëjmë ndjellës e të pëlqyeshëm këtë vend dhe në këtë kuptim, atë që Fan Noli, Gjergj Fishta, Faik Konica etj., e bënin në kohën e tyre veç në sajë të angazhimit të fuqishëm e konkret në diplomaci, nëpër ambasada apo në Lidhjen e Kombeve, intelektualët e sotshëm publikë apo njerëz me autoritet në planin kombëtar e të suksesshëm në planin ndërkombëtar, mund ta bëjnë thjesht duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë në fushat e profesionet e tyre. Jetojmë në kohët kur Ismail Kadare, Ermonela Jaho, Tedi Papavrami, Anri Sala, madje edhe Igli Tare e Lorik Cana, vlejnë secili veç e veç më shumë se çdo ambasadë shqiptare në dhé të huaj. Ky fakt nuk e nxjerr jashtë loje diplomacinë, pasi kjo e fundit nuk është se ka për synim thjesht të mbrojë a promovojë një imazh të mirë kombëtar. Përkundrazi, e fut diplomacinë në binarë teknikë e profesionalë, e bën atë që të mos ketë fare nevojë për intelektualët publikë apo veteranët politikë. Dhe në fakt, nuk ka. Është e kundërta. Janë këta të fundit që kanë nevojë për diplomacinë.
Ndarja prej praktikës së 20 përqindëshit do të ishte, përveç të tjerash, edhe një provë e dëshmi e respektit për të gjithë ata që kanë pasionin e talentin e diplomatit, e atyre që kanë studiuar për diplomaci, e atyre që si dëshirë të parë, ndoshta edhe të vetme, pas diplomimit, kanë pasur punësimin në Ministrinë e Jashtme, e atyre që pas kësaj kanë thurur ëndrra për të bërë një karrierë në diplomaci, nëpërmjet së cilës do të realizojnë veten, e në të njëjtën kohë, do t’i shërbejnë vendit të tyre. Kuota e 20 përqindëshit është një fyerje për të gjithë këta njerëz. E prandaj, ministri ynë i Jashtëm, tok me Kryeministrin, nuk do të bënin keq që t’i mbaheshin fort idesë për ta futur këtë risi në diplomacinë shqiptare. Është koha që të kuptohet se posti i ambasadorit u takon veç diplomatëve.