Pranimi i Turqisë në BE: Dera është ende e hapur
Një herë në vit BE shqyrton, nëse Turqia është gati për t’u pranuar si anëtare. Raport progresi i këtij viti ka vlerësime më negative se ai i një viti më parë. Megjithatë negociatat do të vazhdojnë.
Që dëshiron të bëhet pjesë e BE dhe që përfaqëson dhe mbron vlerat e tij, këtë Turqia nuk e ka lënë të kuptohet kohët e fundit. Kështu qëndrimi hezitues i Ankarasë ka shkaktuar irritim në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera evropiane.
Megjithatë komisioneri i zgjerimit të BE-së Stefan Fyle mendon se rruga për bisedime të mëtejshme për pranimin e Turqisë është ende e hapur. Këtë Füle e bëri të qartë të mërkurën në Bruksel gjatë paraqitjes së raportit të tij vjetor. Për këtë kanë shërbyer përpjekjet për pajtim me grupin etnik kurd, apo marrëveshja për liberalizimin e vizave, që duhet të lehtësojë udhëtimin e shtetasve turq në BE. Përveç kësaj Füle vlerësoi “përpjekjet e autoriteteve dhe popullsisë turke për të përballuar valën e mbi një milion refugjatëve sirianë.”
Njëkohësisht Füle shprehu shqetësimin për zhvillimet e fundit politike në Turqi. Por me hapjen e kapitujve të tjerë të pranimit ai dha një sinjal për vazhdimin të bisedimeve të BE për zgjerimin. “Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik për Bashkimin Evropian, jo vetëm në fushën e ekonomisë dhe tregtisë. Por për shkak të pozitës së saj gjeografike, edhe në fushat e politikave të migracionit dhe të sigurisë,” u shpreh Füle.
Jo një qëndrim i qartë
Megjithë lëvdatat aktuale të Komisionerit të Zgjerimit në largim, Turqia nuk duhet të mbajë shumë shpresa për një anëtarësim të shpejtë në BE. Kryetari i ardhshëm i Komisionit Jean-Claude Juncker pati sinjalizuar që para zgjedhjes së tij në verë, se Bashkimi Europian në pesë vitet e ardhshme nuk do të pranojë anëtarë të rinj. Si mund të motivohet në këtë kontekst qeveria në Ankara, me qëllim që në të ardhmen të bëjë përpjekje për t’u pranur në BE, u pyet Komisioneri i Zgjerimit Füle nga anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Përgjigja e tij ishte, se tani duhet të zhvillohen bisedime mbi kapitujt 23 dhe 24 të pranimit, ku bëhet fjalë për gjyqësorin dhe të drejtat themelore.
Turqia duhet të vazhdojë të punojë
Sidomos në këto sektorë Komisioni i BE, sipas raportit të tij, sheh nevojë për përmirësime. Në muajt e fundit shkarkimi i policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve shkaktoi shqetësim në BE. Edhe bllokimi i platformave të internetit në Turqi nuk u pa me sy aspak të mirë në Bruksel. Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në parlament, Elmar Brok (CDU), i tha në fillim të këtij viti Deutsche Welles se udhëheqja turke duhet të ruajë pavarësinë e drejtësisë, sepse ajo është pjesë përbërëse qëndrore e çdo demokracie.
Pas demonstratave në Stamboll në verën e 2013-ës Brok shprehu skepticizëm në lidhje me stilin e udhëheqjes politike të kryeministrit të atëhershëm Rexhep Taip Erdogan, që ndërkohë është zgjedhur president. “Sa më gjatë të rrijë Erdogan në post, aq më autoritar bëhet ai, aq më pak do të lejojë ta kundërshtojnë dhe gjithnjë e më shumë do t’i marrë vendimet i vetëm”, shprehej Brok.
Komisioni i BE-së është i mendimit se perspektiva e anëtarësimit për Turqisë përbën një joshje të madhe për përmirësime. Në këtë mënyrë mund të ruhet më mirë pavarësia e gjykatave apo liria e shtypit. Dialogu politik me Turqinë duhet të përdoret edhe për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër milicisë terroriste IS, theksoi komisioneri Füle
Kush ka nevojë për kë?
Ndërkohë duket se edhe Turqia është bërë e vetëdijshme për rëndësinë e saj për BE. Në fillim të vitit Erdogan tha gjatë një vizite në Berlin: “Bashkimi Evropian ka nevojë edhe për Turqinë”. Vendi i tij vepron si urë lidhëse me Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ai ka marrëdhënie të ngushta me republikat turke dhe me Ballkanin. Pranimi i Turqisë në BE mund të japë një kontribut të rëndësishëm për paqen në këto rajone. “Nuk do të jetë e mundur për të ndërtuar një të ardhme pa Turqinë”, vazhdoi Erdogan.
Bisedimet e ardhshme me qeverinë në Ankara do ta tregojnë: A do të këmbëngulë Bashkimi Evropian në vlerat e tij duke e detyruar Turqinë për t’ përshtatur? Apo bashkësia e vlerave me çdo anëtar të ri do të ndryshojë edhe vetë nga pak – siç thotë një deputet i parlamentit të BE. Në vitin 2023 republika turke ka 100 vjetorin. Deri në këtë përvjetor vendi dëshiron ta arrijë qëllimin e tij: pranimin në Bashkimin Evropian.