Presidenti i ShBA-së Joe Biden anuloi një sërë urdhrash ekzekutivë të nënshkruara gjatë administratës së Donald Trump-it kundrejt “TikTok”-ut, “WeChat”-it dhe aplikacioneve të tjera kineze, dhe i zëvendësoi ato me një urdhër të ri që ka si objektiv aplikacionet e lidhura me kundërshtarët e huaj.

Urdhri i së mërkurës synon mbrojtjen e të dhënave personale të amerikanëve, sipas njoftimit të publikuar nga Shtëpia e Bardhë. Ai i kërkon Departamentit të Tregtisë të hartojë kriteret për parandalimin e rreziqeve të mundshme ndaj sigurisë kombëtare, që kanë lidhje me aplikacionet “e zotëruara, të kontrolluara ose të menaxhuara nga persona që përkrahin ushtri ose aktivitete zbulimi të huaja kundërshtare, që përfshihen në veprimtari kibernetike keqdashëse, ose që mbledhin të dhëna të ndjeshme personale.”

Gjithashtu, sipas urdhrit, Departamenti i Tregtisë duhet të hartojë një raport me rekomandime se si mund të mbrohen të dhënat personale të amerikanëve, përfshirë të dhënat e tyre gjenetike, si dhe një raport të dytë që përfshin propozime politike shtesë.

“Bytedance”, kompania që ka në pronësi aplikacionin e videove të shkurtra “TikTok”, e ka qendrën në Kinë. Vitin e kaluar, administrata e Trump-it u përpoq ta detyronte “Bytedance”-in ta kthente “TikTok”-un në një kompani të re të zotëruar kryesisht nga investitorët amerikanë.