Presidenti Biden nënshkroi projekt-ligjin e infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh
Presidenti Biden nënshkroi të hënën buxhetin për përmirësimin e infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh, që gëzon mbështetje dy-partiake.
Anëtarë të Kongresit, guvernatorë shtetesh dhe kryebashkiakë, demokratë dhe republikanë, ndoqën ceremoninë e nënshkrimit jashtë Shtëpisë së Bardhë në një pasdite të freskët dhe me diell vjeshte.
Nënshkrimi i presidentit Biden në një nga propozimet e tij kryesore legjislative shënoi një gjë të rrallë në Uashingtonin e përçarë politikisht të; miratimin e nisme madhore nga të dyja partitë. Nëntëmbëdhjetë republikanë iu bashkuan të 50 demokratëve për të miratuar paketën në Senat, ndërsa 13 republikanë e votuan atë në Dhomën e Përfaqësuesve, ndonëse gjashtë demokratë e kundërshtuan atë.
Buxheti parashikon shpenzime të mëdha për rrugët dhe urat në mbarë vendin, që kanë nevojë urgjente për riparim, si dhe për përmirësimin e linjave hekurudhore dhe zgjerimin e transportit publik.
Miliarda dollarë do të përdoren për përmirësimin e internetit veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe për zonat rurale.
Buxheti po ashtu parashikon përmirësimin e rrjetit energjetik të vendit, si dhe të sistemeve të ujësjellësve. Një pjesë e fondeve do të përdoren për ngritjen e pikave për karikimin e makinave elektrike, si dhe për zëvendësimin e autobusëve të transportit për nxënësit e shkollave me autobusë që punojnë me energji elektrike.