Presidenti Ivanov takon ministrin çek të Mbrojtjes, Martin Stropnicky
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, më 12 tetor, priti në një takim ministrin e Mbrojtjes të Republikës Çeke, Martin Stropnický, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni. Siç njofton kabineti i presidentit, Ivanov shprehu kënaqësinë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Republikës Çeke dhe Maqedonisë, ku dhe theksoi dialogun e vazhdueshëm politik dhe bashkëpunimin e frytshëm në të gjitha fushat me interes të përbashkët.
Presidenti maqedonas u informua mbi propozimet për zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave për ballafaqimin me kërcënimet. Ivanov përshëndeti hapat për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, si dhe në përforcimin e bashkëpunimit ndër-ushtarak mes dy vendeve. “Në lidhje me qëllimet strategjike të Maqedonisë, anëtarësimin në NATO dhe BE, presidenti theksoi rëndësinë e mbështetjes së deritanishme të hapur dhe parimore, që vendi ynë merr nga Republika Çeke, si dhe shprehu pritje se e njëjta do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit.
Në vijim të njoftimit theksohet se presidenti dhe ministri Stropnicky shkëmbyen mendime dhe informacione mbi zhvillimet aktuale në lidhje me krizën e refugjatëve dhe emigrantëve, si dhe mbi sfidat e sigurisë. Presidenti Ivanov ka shprehur falënderimet për mbështetjen dhe ndihmën në trajtimin e krizës së emigrantëve, me praninë e forcave dhe pajisjeve nga ana e Çekisë. “Presidenti theksoi se në interes të të ardhmes për sigurinë evropiane nevojitet rishikim i ligjeve për rolin e ardhshëm të ushtrisë në mbështetje të autoriteteve civile, si dhe në përballjen me krizën e emigrantëve, në mbrojte të kufirit, në luftën kundër terrorizmit dhe në fatkeqësitë natyrore dhe aksidentet”, theksohet në njoftim.