Presidenti kinez mbërrin në Rusi për vizitën shtetërore
Presidenti i Kinës Xi Jinping mbërriti të mërkurën në Moskë duke nisur vizitën e tij shtetërore në Rusi. Dy vendet pritet të rrisin partneritetin strategjik gjithëpërfshirës të koordinimit në epokën e re.
Gjatë vizitës së tij në Rusi, presidenti Xi do të bisedojë me homologun rus Vladimir Putin mbi drejtimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe. Gjithashtu, dy udhëheqësit pritet të nënshkruajnë ose të jenë të pranishëm në nënshkrimin e dokumenteve të rëndësishme të bashkëpunimit si dhe të marrin pjesë në një veprimtari në kuadër të festimeve të jubileut të 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe.
Presidenti Xi do të marrë pjesë gjithashtu në Forumin e 23-të Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburg-ut. Ai do të drejtojë një seancë plenare për të shpjeguar idetë e Kinës mbi zhvillimin e vazhdueshëm dhe do të bëjë thirrje për bashkërendimin e përpjekjeve për të mbrojtur multilateralizmin e për të përmirësuar qeverisjen globale për zhvillimin dhe begatinë e përbashkët të botës.
Vizita e kreut kinez në Rusi është e teta prej vitit 2013, kur mori detyrën si president i vendit. Dy liderët kanë mbajtur miqësi të ngushtë dhe janë takuar rreth 30 herë në evente dypalëshe dhe shumëpalëshe në 6 vitet e fundit.