Presidenciale

Presidenti, mazhoranca i rendit dhjetë shkelje, lejoi emërime politike në KLD

NGA HERION MESI

KLD E ploteMazhoranca në raportin përfundimtar për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, ka rreshtuar edhe shkeljet ndaj kreut të këtij institucioni, Presidentit Bujar Nishani. Në raportin e komisionit që disponohet nga gazeta “Shqip”, rezulton se edhe Bujar Nishani është po aq fajtor sa nënkryetari Elvis Çefa dhe anëtari Lulzim Lelçaj në keqfunksionimin dhe menaxhimin e KLD-së. Sipas konstatimeve të anëtarëve të mazhorancës në këtë komision rezulton se mbi Presidentin Nishani rëndojnë 10 shkelje gjatë ushtrimit të detyrës si kryetar i KLD-së, po aq sa janë dhe akuzat e 39 deputetëve të majtë që u bënë shkak i nisjes së hetimit parlamentar ndaj veprimtarisë së Çefës dhe Lelçajt. Por nëse për këta dy të fundit, komisioni hetimor i kërkon Kuvendit shkarkimin e tyre, Presidenti duket se do t’ia hedhë këtyre shkeljeve me një rekomandim të komisionit për marrjen e masave që këto shkelje të mos përsëriten në të ardhmen. “Komisioni hetimor i propozon Kuvendit të Shqipërisë t’i rekomandojë Presidentit të Republikës, që në cilësinë e kryetarit të KLD-së, të marrë masat e duhura për shmangien e praktikave të kundërligjshme të evidentuara në këtë Raport”, – thuhet në pikën 5 të rekomandimeve të komisionit hetimor drejtuar Kuvendit.

Shkeljet e Presidentit

KLD, nën drejtimin e Presidentit Nishani, ka shkelur procedurat duke futur në rendin e ditës të mbledhjeve të tij çështje të tjera për të cilat anëtarët e saj nuk ishin njoftuar më parë. Konkretisht, bëhet fjalë për mbledhjen e datës 21.06.2013, ku KLD-ja mori në shqyrtim si pikë të parë të rendit të ditës, shqyrtimin e kandidaturës për drejtor të Shkollës së Magjistraturës dhe me vendimin nr. 341, datë 21.06.2013, me 13 vota kundër dhe 1 pro, KLD-ja vendosi të rrëzojë propozimin e Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës për emërimin e prof. dr. Mariana Semini si drejtor i Shkollës së Magjistraturës. “Përfshirja në rendin e ditës të kësaj çështjeje, është një shkelje ligjore e kryer nga Presidenti i Republikës, por zëvendëskryetari i KLD-së, kishte për detyrë të mos pajtohej me një situatë të tillë, për sa kohë që nuk përmbusheshin detyrimet ligjore të parashikuara më sipër”, – thuhet në raport.

Në raportin e tij, Komisioni thekson se mosdekretimi nga Presidenti i kandidaturës së anëtarit të KLD-së, Ilir Mustafaj për emërimin e tij në Gjykatën e Apelit të Tiranës, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë çështje, janë tregues i shkeljes së parimit kushtetues dhe ligjit organik të Konferencës Gjyqësore Kombëtare nga KLD dhe veçanërisht nga dy anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi, të cilët, jo vetëm nuk kanë përçuar frymën e Kuvendit në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe ligjeve të miratuara prej tij, por me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë ndikuar në paligjshmërinë e veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Komisioni Hetimor konstaton se ky vendim i KLD-së, i cili drejtohet nga Presidenti, vjen në kundërshtim me standardin kushtetues të paanësisë në ushtrimin e detyrës dhe lejimin e promovimit të vetë anëtarëve të këtij “Ekzekutivi të drejtësisë” në kushtet e konfliktit të hapur të interesit. Sipas raportit, rezulton se KLD-ja, në mbledhjen e 18 janarit të vitit të kaluar, ka vendosur në rendin e ditës që të zhvillohej diskutimi për emërimin përfundimtar të 8 magjistratëve që kanë përfunduar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës 2011-2012. Në këtë mbledhje, KLD-ja vendosi t’i propozojë Presidentit emërimin përfundimtar të 8 magjistratëve, por nga verifikimet e kryera rezulton që Presidenti i Republikës nuk i ka dekretuar si gjyqtarë 8 magjistratët, të cilët u propozuan nga KLD-ja më 18.01.2013. Ky veprim i Presidentit, për anëtarët e Komisionit Hetimor, është sa i pashpjegueshëm aq edhe antiligjor. Nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, rezulton se Shkolla e Magjistraturës ka njoftuar Presidentin e Republikës dhe KLD-në lidhur me përfundimin e vitit akademik 2012-2013 dhe vlerësimin përfundimtar të studentëve të magjistraturës. Megjithëse kishin kaluar disa muaj nga ky njoftim, dhe këta studentë prisnin emërimin sipas ligjit, Këshilli deri më datë 16.12.2013 nuk e mori në shqyrtim këtë çështje. Përgjegjësia për këtë mospërmbushje të detyrimit ligjor në radhë të parë është e Presidentit të Republikës si Kryetar i KLD-së. Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se KLD-ja, që drejtohet nga Nishani, për studentët e vitit akademik 2013-2014, deri më 15.10.2014 nuk ka bërë ende shpalljen e vendeve vakante për emërimin e këtyre magjistratëve në funksionin e gjyqtarit, megjithëse, në bazë të ligjit, ata vazhdojnë të marrin pagën bazë të gjyqtarit të Shkallës së Parë. Pasi u njoh me relacionin e Kryetarit të Komisionit të Administrimit të Testimit dhe rezultatet e tij, më datë 20.05.2013, KLD-ja vendosi kritere shtesë për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Administrative të Apelit. Ky vendim, për Komisionin, është një tjetër shkelje flagrante e ligjit nr.49/2012, pasi, sipas tij, nëpërmjet këtij vendimi, KLD-ja i jep të drejtën vetes, që nëpërmjet kritereve shtesë të paparashikuara nga ligji dhe krejtësisht subjektive, të emërojë në apelin administrativ, jo gjyqtarët që kanë marrë rezultatet më të larta në testim, por ata të cilët kanë përmbushur kritere të tjera klienteliste dhe joligjore, pse jo edhe politike të KLD-së të kryesuar nga Presidenti i Republikës. Në mbledhjen e datës 21.06.2013, KLD-ja, nga lista e gjyqtarëve që morën pjesë në testimin për në Gjykatën e Apelit Administrativ, ka ulur në renditje disa kandidatë, duke i vlerësuar “mirë”, referuar kritereve shtesë të vendimit të mësipërm. Kjo ka bërë që në përzgjedhjen përfundimtare për në Gjykatën e Apelit Administrativ të mos emërohen gjyqtarët që kishin marrë pikët maksimale në testimin seleksionues. Për gjithë sa më lart, kjo i ka mundësuar KLD-së një diskrecion të gjerë të kundërligjshëm nëpërmjet të cilit u emëruan gjyqtarë në gjykatat administrative, jo gjyqtarët më të mirë, por ata që siguruan më shumë vota klienteliste nga anëtarët e Këshillit. Duke iu referuar mbledhjes së datës 11.04.2014 të KLD-së, Komisioni thekson se ky Këshill nën drejtimin e Nishanit, i ka marrë kompetencat ministrit të Drejtësisë për shpalljen e vendeve vakante në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit. Nga procesverbali i mbledhjes rezulton se Presidenti i Republikës dhe njëherazi Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani, nuk ka lejuar anëtarët e KLD-së, përfshi edhe ministrin e Drejtësisë, që të zhvillojnë diskutimin rreth kësaj pike të rendit të ditës, duke e hedhur menjëherë në votim. Diskutimi i Presidentit, në mbledhjen e datës 11.10.2013 për emërimin e kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Matit, sipas Komisionit, është prova më e plotë që evidenton të gjitha shkeljet ligjore që kanë shoqëruar procesin e emërimeve në gjykatat e vendit në të gjitha fazat e tij. “Jemi në një situatë të tillë që kërkojmë të respektohet ligji për shkak të vlerësimeve, dhe nga ana tjetër, kemi inkurajuar dhe lejuar shkeljen e ligjit për shkak të afatit”, – është shprehur Presidenti Nishani në këtë mbledhje. Promovimi i gjyqtarëve në kundërshtim me ligjin është një tjetër shkelje e KLD-së nën drejtimin e Presidentit Nishani si kryetar i saj, i cili, sipas mazhorancës me shkeljen e ligjit për rastet e promovimeve të gjyqtarëve, ka vijuar të thellojë paligjshmërinë e veprimeve të tij, duke lejuar lulëzimin e fenomeneve korruptive në sistemin gjyqësor, për të cilat Komisioni Europian në vite, në progres-raportet për Shqipërinë ka vënë një theks të veçantë ndaj luftës kundër korrupsionit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button