Presidenti Trump dhe homologu polak diskutojnë bashkëpunimin ushtarak
Votuesit polakë do të vendosin brenda katër ditësh nëse presidenti i krahut të djathtë do të shërbejë për një mandat të dytë në detyrë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë Presidenti Trump njoftoi shtimin e ndihmës ushtarake amerikane për Poloninë, e cila ka shprehur nevojën për më shumë mbështetje ushtarake që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Takimi i rregulluar me ngut vjen pas njoftimit të papritur të Presidentit Trump në fillim të këtij muaji për të pakësuar trupat amerikane në Gjermani nga 34.500 në 25,000,. Presidenti Trump tha se disa trupa të tërhequra nga Gjermania do “shkonin” në Poloni. Presidenti polak tha se tërheqja e forcave amerikane nga Gjermania do të ishte “shumë e dëmshme për sigurinë evropiane” dhe kërkoi që Sh.B.A të konsiderojnë mbajtjen e pranisë së saj afatgjatë në Evropë. Ai tha se do të ishte “gati” për të marrë trupat amerikane në Poloni.
Njoftimet polake të mediave thonë se SH.B.A. gjithashtu mund ti japin Polonisë avionë luftarakë dhe të transportit ushtarak ajror.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se do të ishte e parakohshme për të diskutuar dislokimin e trupave në Evropë.
Michal Baranowski, drejtori i Fondit Gjerman Marshall, një grup hulumtues jo-partiak me bazë në Uashington, tha se zoti Duda shpreson se takimi i tij me Presidentin Trump do të rrisë perspektivat e tij për rizgjedhje.
“Presidenti Duda do të ketë një mundësi të duket shumë presidencial dhe kjo është, një pjesë e madhe e arsyes së këtij takimi,” tha ai.
Baranowski shtoi se takimi, i pari i Presidentit Trump me një udhëheqës të huaj që nga shpallja e pandemisë së koronavirusit në mars, gjithashtu mund të forcojë mbështetjen për Presidentin Trump në komunitetet polake amerikane në shtetet e lëkundura përpara zgjedhjeve presidenciale në nëntor.
Ndërsa zoti Duda aktualisht kryeson garën në zgjedhjet polake, Rafal Trzaskowski, një kandidat centrist i opozitës, është rritur në anketime.
Komentatori Boguslaw Chrabota shkroi në të përditshmen Rzeczpospolita se Presidenti Duda “po kërkon me dëshpërim një fundi triumfues” të fushatës së tij.
Por zoti Chrabota tha gjithashtu se takimi me Trumpin mbartte “rrezik të konsiderueshëm” nëse ai premton të përdorë shuma të mëdha parash të taksapaguesve për të paguar pajisjen ushtarake amerikane.
Polonia ka rënë dakord vitet e fundit për të blerë avionë luftarakë, raketa dhe raketahedhës nga SH.B.A. dhe është pajtuar ngushtë me Presidentin Trump.