Bota

Presidenti Trump dhe sanksionet ndaj Rusisë

Në kundërpërgjigje të ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane, një grup dypartiak udhëheqësish të Kongresit kanë rënë dakort për sanksione të reja për Rusinë, si dhe për miratimin e një neni që do të parandalonte lehtësimin e sanksioneve për Moskën nga Presidenti Donald Trump.

I pyetur nëse Presidenti Trump do ta nënshkruajë legjislacionin e ri, Drejtori i ri i Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, u shpreh për rrjetin CNN, se: “Duhet të pyesni vetë Presidentin Trump. Unë mendoj se ai do të marrë vendimin e duhur”. Në vazhdim të bashkëbisedimit, zoti Scaramucci pasqyroi pikëpamjet e shprehura në të kaluarën nga Presidenti, duke thënë se “afera e Rusisë është diçka fallso dhe e pakuptimtë”.

Zoti Scaramucci, i cili u emërua vetëm dy ditë më parë, tha se Presidenti Trump vazhdon të mos jetë i bindur se ishte Rusia ajo që ndërhyri në serverat e zyrave qendrore të Partisë Demokrate në Uashington, dhe që më vonë bëri të disponueshme nëpërmjet faqes Wikileaks mijëra email-e në dëm të rivales demokrate në garën presidenciale, zonjës Hillary Clinton.

Në një bashkëbisedim tjetër me kanalin ABC News, Sekretarja e re e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee, tha se “Shtëpia e Bardhë mbështet legjislacionin aktual”.

Fillimisht ishte paraqitur një projektligj në Dhomën e Përfaqësuesve për sanksione ndaj Iranit, të cilave më vonë iu shtuan edhe sanksionet për Korenë e Veriut. Të martën, Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë legjislacionin që do të përfshijë sanksione për të tre vendet: Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar paragrafin ku përcaktohet se do të duhet miratim i Kongresit për çdo rishikim të sanksioneve nga Presidenti Trump. Ligjvënës nga të dyja kahet e politikës e kërkuan një masë të tillë për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të Presidentit Trump për marrëdhënie më të ngrohta me Rusinë. Sipas ligjit të ri, Presidentit Trump do t’i duhet të paraqesë një raport në Kongres, ku do të shpjegojë arsyet për heqjen e sanksioneve. Kongresi do të ketë në vazhdim 30 ditë për të zhvilluar seanca dëgjimore dhe për të votuar propozimin.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button