Bota

Presidenti Trump përpiqet t’i sigurojë aleatët e G20-ës për angazhimin amerikan

Gjatë takimit të tij të parë në Osaka – një darkë pune me kryeministrin australian Scott Morrison – Presidenti Trump u pyet nga një gazetar rreth perceptimit se qasja “Amerika e vetme” po ndikon negativisht tek disa nga aleatët më të afërt tradicionalë të Uashingtonit në Azi-Paqësor.

Presidenti Trump u përgjigj: “Ne punojmë me aleatët tanë. Ne kujdesemi për aleatët tanë,” duke vënë në dukje se ai kishte trashëguar defiçite të mëdha tregtare me aleatët. Ndërkaq, tha ai, ne po i ndihmojmë aleatët edhe ushtarakisht.

Gjatë darkës zoti Trump “theksoi angazhimin e tij për maksimizimin e partneritetit ekonomik me Australinë nëpërmjet tregtisë dhe investimeve të drejta, të balancuara dhe reciprokisht të dobishme”.

Mikpritësi i G-20-s, kryeministri i Japonisë Shinzo Abe, shpreson të dëgjojë fjalë qetësuese nga Presidenti Trump, kur ata të takohen të premten në mëngjes në Osaka.

Çështjet që pritet të diskutohen në takimin e Osakës

Ndërsa ekonomitë më të mëdha të botës përgatiten të mblidhen në Osaka – të gjithë sytë janë tek dy anëtarët më të mëdhenj të grupit: Shtetet e Bashkuara dhe Kina.

Rritja e tarifave nga Shtetet e Bashkuara ndaj mallrave kineze prej 200 miliardë dollarësh ka sjellë një luftë tregtare spirale, që kërcënon ekonominë globale.

Por ditët e fundit kanë rifilluar bisedimet dypalëshe dhe gjuha duket se është zbutur – duke sjellë shpresë për një arritje të rëndësishme, thotë analisti John Kirton, i cili ndodhet në Osaka.

“Të gjithë janë në pritje të takimit dypalësh mes Presidentit Trump dhe Presidentit kinez Xi në Osaka. Por prapa kësaj drame, do të ketë përparim të rëndësishëm për një sërë çështjesh të përbashkëta të vendeve të koalicionit që pritet t’i çojnë përpara me një frymë kompromisi.”

Mikpritësi i takimit, Shinzo Abe, e bëri të qartë pritshmërinë e tij për këtë javë. “Unë pres që Shtetet e Bashkuara dhe Kina t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre tregtare në mënyrë konstruktive, përmes dialogut”.

Takimi i Osakës mund të arrijë përparim të rëndësishëm, thotë analisti Kirton.

“Kjo luftë tregtare po zhvillohet në një kohë kur ekonomia globale është në një formë mjaft të mirë dhe pritet që në Osaka të arrihet një marrëveshje e rëndësishme për liberalizimin e tregtisë dhe rregulla të reja tregtare në shekullin e njëzet e një – të epokës dixhitale. ”

Por takimi i Osakës mjegullohet nga çështje të tjera. Kërcënimi i konfliktit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka rritur çmimet e naftës. Në Hong Kong, protestat pro-demokracisë kanë mbështetjen e fuqishme Perëndimit – ndonëse Kina këmbëngul se nuk do të lejojë që demonstratat të përmenden në takimin e G20-ës.

Mosmarrëveshja më e madhe mund të jetë për ndryshimet klimatike.

” Kryeministri japonez Shinzo Abe që mirëpret takimin ka për të patur një prirje të natyrshme që ta verë këtë çështje në plan të dytë, prandaj fryma e kompromisit, marrëveshjes dhe harmonisë do të mbizotërojë. Por, nuk ka kohë për të humbur për të kontrolluar krizën klimatike. ”

Franca thotë se do të këmbëngulë që deklarata e përbashkët e takimit të mbështesë marrjen e masave të forta mbi ndryshimet klimatike.

“Unë kam një vijë të kuqe. Nëse nuk shënojmë përparim me ambiciet tona klimatike, kjo do të thotë që ne po e mbajmë kot takimin”.

Analistët thonë se takimi i G-20-ës do të shihet si një provë për bashkëpunimin shumëpalësh në një kohë sfidash të mëdha për bashkësinë ndërkombëtare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button