Problemet që i kanë të gjithë ata që e mendojnë diçka shumë gjatë
Jeni edhe ju një person që i pëlqen t’u hyjë arsyetimeve për një çështje të thellë? Duhet të dini se përveç telasheve që sjell ky tipar, ka edhe shumë të mira që shoqërojnë ata që “e vrasin mendjen shumë”
Çdo njeri ka nevojë të marrë një sasi kohe për t’i menduar gjërat, por disa njerëz e mendojnë çdo gjë në jetën e tyre jo vetëm gjatë, por edhe disa herë. Për këtë tip njerëzish jeta është më e komplikuar nga sa duket dhe gjërat mund të duket se mbartin kuptime që të tjerët nuk arrijnë t’i dallojnë. Ja disa nga mendimet që i kanë të gjithë personat që “e vrasin mendjen shumë”.
Vendimmarrja është telash
Ju kanë kërkuar që të ndani mendjen për një çështje të caktuar dhe ju duhet të zgjidhni? Nëse jeni vërtet një person që nuk bindet lehtësisht dhe që e ka mendjen vazhdimisht në punë, atëherë dy gjëra mund t’ju ndodhin. Së pari, do të kërkoni një kohë më të gjatë se të tjerët për të marrë një vendim. Së dyti, mund të ndodhë që ta ndryshoni mendjen shpesh dhe për gjithçka. Edhe gjërat më të lehta, juve do t’ju duken shumë të komplikuara. Çdo vendim është një sfidë më vete.
Parapërgatitja është normë
Ky tipar i njerëzve që i mendojnë gjërat shumë, është një telash, por edhe një bekim. Nga njëra anë jeni të përgatitur për gjithçka, por nga ana tjetër ju nuk keni luksin e të jetuarit të momentit. Njerëzit që e vrasin mendjen shumë duan të kenë gjithçka nën kontroll dhe të jenë të përgatitur për çdo gjë që mund të ndodhë, për këtë arsye ata futen shpesh në ankth dhe stres.
Strategjitë janë të lehta
Për shkak se e keni bërë prej një kohe të gjatë, nëse edhe ju jeni një person që i mendon gjërat gjatë, atëherë strategjitë janë gjëja e duhur për juve. Kjo është një pikë e fortë e njerëzve që duan të ecin përpara në jetë dhe që nuk ia lënë gjithçka rastësisë. Në shumë raste këta persona janë idealët për profesione që lidhen me hartimin e strategjive dhe pozicione të ngjashme.
Jetojnë me teori konspiracioni
A dha dorëheqjen një koleg menjëherë pasi një koleg tjetër u rrit në detyrë? Për një person të zakonshëm nuk mund të ketë asnjë lidhje, por ata që i mendojnë gjërat gjatë do të hamendësojnë ndryshe. Edhe pse mund të mos jenë teori të mirëfillta, njerëzit që i mendojnë gjërat thellë shpesh arrijnë të krijojnë një lidhje shkak-pasojë edhe aty ku të tjerët shohin veçse ngjarje të ndara.
I analizojnë gjatë bisedat e miqve
Çdo bisedë ose mesazh që bëhet me një person të tillë, ka një mendim të gjatë nga pas për të analizuar se përse dikush mund të ketë thënë apo shkruar atë gjë. Ndonëse jo gjithçka mund të jetë me dashakeqësi apo mund të tregojë një ndjesi të caktuar, të gjithë miqtë që preferojnë t’i hynë botës thellë do t’i rilexojnë disa herë mesazhet dhe do të shkruajnë e fshijnë disa përgjigje përpara se të dërgojnë atë që u duket e përshtatshme.
Bëjnë dhurata shumë të zgjedhura
Një cilësi që nuk mund t’u mohohet njerëzve që i mendojnë gjërat gjatë është padyshim aftësia e tyre për të gjetur dhuratat e duhura. Këta njerëz i kushtojnë vërtet vëmendje mënyrës së jetesës dhe fjalëve të të tjerëve dhe për këtë arsye, kur të jetë çasti i përshtatshëm, ata do të dinë se çfarë dhurate të bëjnë. Këta miq bëjnë diferencën me të tjerët që mund t’ju dhurojnë gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me ju.
Kanë aftësi të shkëlqyera vëzhgimi
Njerëzit mund t’ju quajnë një person që e vret mendjen gjatë, por në fakt ju jeni miku i preferuar i të gjithë atyre që kanë nevojë për ngushëllim, në një çast kur askush tjetër nuk duket se e kupton se çfarë po ndodh. Ju keni aftësi të shkëlqyera vëzhgimi dhe për këtë arsye, sa herë që ju duket e përshtatshme të përdorni informacionin tuaj për të ndërhyrë, dini lëvizjen e duhur.
Miqtë nuk e vlerësojnë analizimin e gjatë
Personat që kanë shokë që mendojnë gjatë për diçka, shumë rrallë arrijnë ta vlerësojnë këtë gjë, atyre u duket shpesh e panevojshme dhe i kritikojnë të tjerët për këtë gjë. Kështu, nëse ju jeni një person që e vret mendjen shumë dhe miqtë jua kujtojnë vazhdimisht këtë, mos u shqetësoni, nuk jeni të vetmit, por gjithashtu mos hiqni dorë nga tiparet tuaja.
Gjumi është i vështirë
Gjumi mund të jetë një nga aspektet më të vështira të njerëzve që priren t’i mendojnë gjërat sa gjerë e gjatë. Mendimet mund t’ju pushtojnë kokën sa herë që shtriheni për të fjetur dhe mendim pas mendimi mund të shihni se ora ka përparuar dhe po afron mëngjesi dhe ju nuk po bëni gjumin e duhur.
Përzgjedhja
Njerëzit që i mendojnë gjërat shumë, nuk e kanë të lehtë të bëjnë një zgjedhje, por ama ata dinë të përzgjedhin më të mirën për veten. Që nga aktivitetet e thjeshta deri te festat, mendimtarët e thellë priren të përzgjedhin gjëra të pazakonta. Ata janë shpirti i festave që përzgjedhin, sepse e dinë që këto janë të rralla për t’u hasur.
Dhimbja zgjat më shumë
Ata që mendojnë pak si tepër, kanë një dhimbje që zgjat më tepër nga sa mund të ndodhë te disa njerëz të tjerë. Fazat e kalimit të dhimbjes te këta persona janë më të shumta, por në fund të tyre ata dalin njerëz më të vendosur dhe më të ditur.
Nuk harrojnë shpejt
Nuk ka gjëra që njerëzit që arsyetojnë gjatë mund t’i kalojnë si pa të keq. Atyre u pëlqen të kapen pas një çështjeje dhe t’i arrijnë fundin, sepse përndryshe nuk ia gjejnë kuptimin duke e mbyllur shpejt. Të tillë njerëz jo vetëm që mendojnë gjatë, por ata nuk harrojnë shpejt dhe e kanë më të vështirë se të tjerët që të falin.