Progres – Raporti, Vlahutin: Shqipëria hapa para në 90% të çështjeve
Në një mbledhje me gazetarët një ditë pasi Komisioni Europian të publikojë raportin vjetor për Shqipërinë, kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, tha se Shqipëria ka bërë progres në 90% të të gjitha çështjeve, përfshirë dhe pesë prioritetet kyç që vendi ynë ka si kusht për hapjen e negociatave.
Ndërsa nuk ka hapa prapa për asnjë nga çështjet e ngritura në Komision.
Vetëm pesë çështje kanë mbetur në vend, liria e shprehjes, liria e lëvizjes, peshkimi, prokurimet publike dhe çështjet audiovizuale nuk kanë shënuar progres në raportin 2016.
Nisur nga shërbimet që raportojnë pranë Komisionit Europian, raportit të Guardia di Finanza dhe bashkëpunimit të frytshëm policor ndërkombëtar të policisë shqiptare, lufta kundër drogës dhe krimit të organizuar do të marrë një notë pozitive në raport.
Megjithatë për BE, ende ka shumë punë për të bërë.
Zbatimi i plotë i reformës në drejtësi si dhe ngritja efikase e të gjitha institucioneve të këtij sistemi është pika kyç ku Komisioni do të vërë theksin e tij.
Negociatat me BE do të kushtëzohen nga vetëm një kusht politik, reforma zgjedhore.
Zbatimi i rekomandimeve të OSBE si dhe mungesa e paanshmërisë dhe paaftësia janë detyra që Shqipëria duhet ti realizojë në zgjedhjet e 2017.
Një nga çështjet që paraqitet si problem, megjithAtë klasifikohet njësoj si vitin e shkuar, është dhe liria e medias.
Për këtë BE do të ofrojë asistencën e tij për të plotësuar kushtet e punës së gazetarëve.
Në raportin prej 90 faqesh, Shqipëria lavdërohet edhe për politikën e jashtme të saj ku po ndjek me përpikmëri udhëzimet e BE.