Projekti për historinë amerikane, Lu flet për reformën në drejtësi
Nxënësit e 10 gjimnazeve të Tiranës kanë prezantuar projektin “Historia Amerikane në sytë e e adoleshentëve” në aktivitetin e mbajtur në Muzeun Kombëtar.
Ngjarje e personazhe të rëndësishëm të historisë së Amerikës ishin në qendër të projekteve të propozuara nga të rinjtë.
“Të sjellësh historinë e Amerikës në sytë e adoleshentëve është më shumë sesa një vështrim për historinë e një populli dhe vendi të madh, mik të shqiptarëve, është një formë e re impresimi për adoleshentët që kanë përcjellë këtë rrugëtim. Ne duhet të pyesim jo çfarë atdheu bën për ne, po çfarë bëjmë ne për atdheun. Ky duhet të jetë mesazhi për një popull që ka se me çfarë të krenohet”, tha në fjalën e rastit ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.
Në të njëjtën linjë me të rinjtë ishte edhe Ambasadori Donald Lu, vëmendjen në fjalën e tij e ndali në njërën prej figurave që ka shënuar historinë amerikane, si burim frymëzimi për të rinjtë shqiptarë sot.
“Aleksandër Hamilton erdhi nga asgjëja. Ishte një njeri jetim që punoi që në moshën 11-vjeçare për të mbijetuar dhe u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm në historinë e Amerikës. Pse është aktual për shqiptarët? Së fundmi pata një bisedë me një mikun tim shqiptar që po punon për reformën në drejtësi. Sugjerimi im është: shpresoj të mbani shënim për sakrificat e burrave e grave që po punojnë ditë e natë për muaj e vite për këtë reformë e për të ndryshuar këtë vend. Ashtu si Hamiltoni, edhe ata po punojnë të shkruajnë historinë e këtij vendi kundra presioneve politike dhe politikanëve të fuqishëm. Historia amerikane është aktuale për ju, pasi jam i sigurtë se mes jush gjendet një George Ëashington apo një Thomas Jeferson i ardhshëm”, deklaroi ambasadori amerikan, Donald Lu.
Në fund të prezantimit të projekteve të 10 gjimnazeve pjesëmarrëse, si projekti më i mirë u vlerësua ai i shkollës “Ismail Qemali.”