Projektligji për donacionet dhe sponsorizimet, Gonxhja: Kalojmë nga bamirësia te partneriteti strategjik, bizneset do të kenë lehtësi fiskale për sponsorizimet
Bizneset që do të sponsorizojnë aktivitete në sport, kulturë dhe art do të mund të përfitojnë lehtësira fiskale deri në 30% të tatim-fitimit të paguar. Mekanizmi i ri parashikohet në projektligjin “Për donacionet dhe sponsorizimet”, një nismë e deputetëve Taulant Balla dhe Erion Braçe, i cili u shqyrtua në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet.
Gjatë prezantimit të projektligjit, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se nisma synon të krijojë një model të ri financimi për sektorët e sportit, artit dhe kulturës, duke nxitur partneritetin mes shtetit, biznesit dhe shoqërisë.
Sipas tij, lehtësia fiskale do t’u mundësojë subjekteve sponsorizuese të njohin si zbritje një vlerë deri në 30% të tatim-fitimit të paguar, në vitin pasardhës. Mekanizmi pritet të nisë të zbatohet në vitin 2027, ndërsa përllogaritjet në libra do të bëhen në vitin 2028.
Skema parashikon një kufi maksimal prej 30 milionë lekësh në vit për çdo sponsor, si dhe një tavan kombëtar prej 2 miliardë lekësh në vit.
“Parashikohen mbi 3 mijë evente për sivjet, me një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtin periudhë me vitin e kaluar, shifra që tregojnë se po konsolidohemi si destinacion aktiv. Ky hov zhvillimi kërkon instrumente më moderne financimi. Kuadri ligjor që kishim i përket një realiteti të lënë shumë pas. Me këtë projektligj, nisëm, bëjmë një kapërcim konceptual, kalojmë nga modeli i bamirësisë së izoluar, drejt një partneriteti strategjik ndërmjet shtetit, biznesit dhe shoqërisë, ku krijohet kjo vlerë e përbashkët ekonomike dhe sociale dhe ky financim i drejtpërdrejtë. Një kalim shumë i drejtpërdrejtë i fondeve nga arka e supozuar e buxhetit të shtetit te arka e këtyre sektorëve. Krijimi i mekanizimit nxitës dhe financues. Buxheti i shtetit mbete një instrument themelor, por fondet publike dhe thirrjet vjetore nuk janë më burimi i vetëm për të mbuluar nevojat dhe ambiciet për zhvillim. Projektligji parashikon një mekanizëm lehtësues për subjektet që sponzorizojnë aktivitet në sport, kulturë dhe art, duke u mundësuar njohje si zbritje të një vlere deri në 30% të tatimit fitimit ët paguar në vitin pasardhës. Fillon në vitin 2027, por llogaritë në libra do të jenë në vitin 2028. Lehtësia rregullohet në një kufi maksimal prej 30 mln lekësh në vit për çdo sponsor, kjo mund të jetë për t’u parë, dhe një tavan kombëtar prej 2 mld lekësh në vit”, tha Gonxhja.
Një tjetër risi e projektligjit është mundësia që bizneset të mbështesin drejtpërdrejt sportistët dhe artistët që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Një risi është edhe mbështetja e drejtpërdrejtë e sportistëve dhe artistëve që përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Ligji u jep mundësi bizneseve t’i mbështesin drejtpërdrejtë”, tha Ministri.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.