Projektohet një shteg udhëtarësh në vijën bregdetare Pashaliman – Shën Vasil – Kepi i Gjuhëzës
Specialistët e Administratës së Zonave të Mbrojtura në Qarkun e Vlorës, kanë përfunduar hartëzimin i shtegut të udhëtimit turistik “Pashaliman – Shën Vasil -Kepi i Gjuhëzës”.
Ky shteg është i gjatë 20 km dhe zgjat rreth 16 orë udhëtim vajtje-ardhje.
Shtrihet përgjatë Rezervatit Natyror të Menaxhuar “Karaburun”, dhe pjesërisht, përgjatë Parkut Kombëtar detar “Sazan-Karaburun”.
Niveli i vështirësisë është mbi mesataren për shkak të orëve të gjata të ecjes dhe terrenit të thyer malor.
Shtegu këshillohet në mënyrë të veçantë për të apasionuarit e çiklizmit, të ecjes në terren të vështirë, të aventurierëve të detit dhe natyrës si dhe për studiuesit e florës dhe faunës së zonës.
Gjatë ecjes në këtë shteg, gjenden disa objekte të vjetra kulti, rrënoja të vjetra murale, shpella dhe guva tërheqëse për kuriozët.