Prokuroria autorizon IPK-në të hetojë veprimet policore gjatë protestës së 5 tetorit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) që të ndërmarrë veprime lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë gjatë protestës së mbajtur më 5 tetor në hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Sipas Prokurorisë, hetuesit e IPK-së janë autorizuar të ndërmarrin veprime paraprake për trajtimin e secilit rast që lidhet me veprimet policore gjatë protestës.
Qëllimi i autorizimit është grumbullimi i informatave dhe provave relevante për të vlerësuar nëse ka pasur tejkalim eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës për shpërndarjen e protestuesve.
Prokuroria ka bërë të ditur se, në bashkëpunim dhe koordinim me IPK-në, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore për të ndriçuar rastet ku dyshohet se mund të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet do të fokusohen në veprimet e zyrtarëve policorë gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve dhe në vlerësimin e ligjshmërisë së përdorimit të forcës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.