Prona që shitet dhe privatizohet, tani vetëm në Buletin
Të gjitha njoftimet për ankand apo për ish-pronarët e truallit që gëzojnë të drejtën e parablerjes, tani do të botohen në dy buletine zyrtare.
Drejtoria e Drejtimit të Pronës Publike në Ministrinë e Financave, bëri të ditur se është organi, që kryen procedurat e shitjes së pronës shtetërore, që privatizohet dhe se duke filluar nga ankandi i radhës do të dërgojë për botim çdo njoftim për ankand vetëm në Buletinin e Prokurimit Publik dhe Buletinin e Botimeve Zyrtare pranë Qendrës së Botimeve Zyrtare.
Sikurse dihet, një nga format me të cilat bëhet kalimi i pronës shtetërore në pronë private është edhe shitja e pronës nëpërmjet ankandit, ku pronarët e truallit kanë të drejtën e parablerjes. Deri më sot, njoftimi për zhvillimin e ankandit sipas dispozitave ligjore dhe nënligjore në fuqi është realizuar nëpërmjet publikimit të njoftimit në Buletinin e Prokurimit Publik, si dhe në media kombëtare (gazeta me qarkullim Kombëtar dhe TV Kombëtar).
Me hyrjen në fuqi të ligjit nr.78/2014, “Për organizimin dhe funksionimin e Qendrës së Botimeve Zyrtare, MF bën të ditur se njoftimet për ankand apo për ish-pronarët e truallit që gëzojnë të drejtën e parablerjes, nuk do të botohen në mediat kombëtare (gazeta dhe TV kombëtare), por vetëm në Buletinin e Prokurimit Publik, pranë Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Buletinin e Njoftimeve Zyrtare pranë Qendrës së Botimeve Zyrtare.