Protesta për ligjin e Speciales përshkallëzohet: protestuesit shtyjnë Besnik Bislimin para Kuvendit
Ndërkohë para ndërtesës së Qeverisë protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike e gurë drejt zyrtarëve, duke brohoritur 'Nuk keni me dalë'; prani e shtuar e njësive policore.
Protesta kundër Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është përshkallëzuar të hënën pasdite para Kuvendit të Kosovës, siç njofton Klan Kosova.
Që nga orët e mëngjesit, protestuesit janë mbledhur para godinës së Kuvendit me kërkesën që projektligji të votohet edhe në lexim të dytë, pasi në mëngjes ai kaloi leximin e parë me 91 vota pro.
Në orët e pasdites, tensioni u rrit ndjeshëm: protestuesit e pranishëm shtynë Besnik Bislimin para Kuvendit, në një incident që ka ngritur shqetësim për sigurinë në zonë.
Pas përshkallëzimit të situatës, në vendngjarje është vërejtur prani e shtuar e njësive policore, të cilat po monitorojnë nga afër zhvillimet.
Ndërkohë, para objektit të Qeverisë së Kosovës, protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike si dhe gurë në drejtim të zyrtarëve që po hynin brenda, duke brohoritur ndër të tjera “Nuk keni me dalë”, sipas njoftimeve të Klan Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.