Protestat për Zvërnecin, Berisha: Denoncoj anti-mitingun në Vlorë. Balla: Është festë ditëlindje e PS, ti s’je i ftuar
Protestat për Zvërnecin kanë sjellë debate në Kuvend, mes opozitës dhe mazhorancës, lidhur me një aktivitet që do të zhvillohet ditën e nesërme në Vlorë. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e denoncoi si një “antimiting” kundër protestës qytetare.
Sipas tij, po organizohet “antimitingu më i turpshëm i historisë”, ndërsa dënoi çdo akt dhune ndaj protestës qytetare.
“Denoncoj vendimin për të organizuar në Vlorë ndoshta antimitingun më të turpshëm të historisë. Antimitingjet tuaja nuk do të tolerohen dhe do të marrin atë përgjigje që meritojnë. A ka akt më të turpshëm sesa të marrësh punonjësit këtu dhe të dalësh në antimiting kundër protestës qytetare? A ka akt më përçarës, më absurd?
Hiqni dorë, anulojeni. Keni dërguar mesazh tek të gjithë punonjësit e Fierit, Lushnjës dhe të gjithë Jugut. Mos e provoni. Dënoj dhunën ndaj protestës qytetare. Një njeri që bën diçka nuk përfaqëson tërësinë e protestës. Kjo praktikë e antimitingut është fashiste, leniniste. Keni nisur mesazhe në administratë. Gjithçka është për shkak të mungesës së transparencës”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i hodhi poshtë akuzat, duke sqaruar se aktiviteti në Vlorë është pjesë e festimeve për 35-vjetorin e Partisë Socialiste.
Ai theksoi se aktiviteti nuk është një antimiting, por një festë përvjetori e socialistëve, ndërsa kujtoi fitoret elektorale të PS-së ndaj PD-së në vite.
“Shoh që insistoni me padurim që të merrni pjesë në festat e 35 vjetorit të PS-së. Ne kemi një kalendar të parashikuar të festave tona. Sigurisht që nuk mund të jeni i ftuar në ditëlindjet e PS-së, as në Vlorë, as në Tiranë. Ne iu kemi mundur 15 herë nga 20 beteja elektorale. Me Ramën kryetar të PS-së, iu kemi mundur 8 herë rresht. Do iu mundim prapë pas 1 viti në zgjedhjet vendore, do iu mundim edhe në 2029. Diversionin tënd se kemi anti-miting nesër, është festë ditëlindje. Vlora është kryeqytet i PS-së. Merreni me qetësi, siç iu kemi mundur, do t’ju mundim përsëri. Bëni mirë të vini mend se nuk iu kupton askush. Ai investim do realizohet se Shqipëria nuk e ka luksin e keq të humbë këtë investim”, tha Balla.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.