Protestat- Rama me të rinjtë në Jalë: Nisi me Zvërnecin, por sot është harruar. Algoritmi amplifikon gënjeshtrat
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat dhe ndikimin e rrjeteve sociale në përhapjen e mesazheve, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë në Jalë.
Rama u ndal te roli i algoritmit në platformat online, duke thënë se ai ka një ndikim të madh në mënyrën se si njerëzit përjetojnë informacionin
“Algoritmi ka rol jashtëzakonisht të madh në përcaktimin e koloritit të jetës sonë, sa kohë e kemi jetën të lidhur me botën virtuale. Kjo nuk do të thotë që algoritmi vjen tek ne me idetë e veta, apo se përcakton arsyen pse ne e bëjmë një veprim. Kjo do të thotë q algoritmi është amplifikator i jashtëzakonshëm i zemërimit, pakënaqësisë dhe çdo gjëje që ka prirje të shkojë drejt skandalit. Janë të pafundme studimet e bëra për algoritmin dhe është e qartë që gënjeshtra, akuzat, çdo gjë që shkon në drejtim të amplifimit të energjisë ka një shtrirje shumë më të gjerë dhe të thellë në kanalet sociale, sesa informacioni, e vërteta”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se protestat kanë shkaqe reale që lidhen me shqetësimet e përditshme të qytetarëve, por sipas tij rrjetet sociale ndikojnë në zmadhimin e pakënaqësive përmes përmbajtjeve që shpesh mund të jenë të manipuluara.
“Nuk kam thënë që algoritmi ishte arsyeja e protestë. Padiskutim që protesta ka arsye që lidhen me të përditshmen e njerëzve dhe patjetër që ato arsye janë të qenësishme dhe të rëndësishme për t’u kuptuar, por algoritmi ka impakt të jashtëzakonshëm në amplifikimin e zhurmës, negativitetit dhe të gjithë atyre nxitjeve që vijnë në formën e videove të manipuluara, të cilat i japin karburant ose i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit”, theksoi ai.
Rama tha se çdo protestë mbart një mesazh dhe se detyra e tij është të kuptojë shqetësimet e qytetarëve, por edhe të dallojë mes motiveve të sinqerta dhe asaj që ai e cilësoi si manipulim.
“Është e padiskutueshme që çdo protestë mbart një mesazh, cilado qoftë arsyeja apo ata që dalin në protestë. Protesta mbart mesazhe dhe patjetër që detyra ime është t’i kuptoj sa më mirë ato. Po ashtu, detyra ime është të kuptoj edhe më shumë se kaq, të kuptoj organizatorët, çfarë ka më shumë sesa ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të të gjithë spektrit të çështjeve apo të forcave të angazhuara në protestë. Duhen kuptuar dhe secili duhet të kuptojë se ku mbaron motivi i sinqertë i protestës, si adresohet ai motiv i sinqertë, cilat janë zgjidhjet për shqetësimet dhe ku fillon manipulimi, pjesa kur ti, si njeri i sinqertë në protestë, kthehesh në një vegël, pa dijeninë tënde, e forcave të tjera.
Ndarja bëhet te pikat ku ty të hapet një rrugë për ta adresuar qëllimin ose nuk të hapet. Është e rëndësishme të ndahet pjesa e shkaqeve dhe problematikave që kërkojnë adresim nga pjesa që kërkon informim”, deklaroi kreu i qeverisë.
Duke iu referuar protestave për çështjen e Zvërnecit dhe Sazanit, kryeministri deklaroi se fokusi i tyre ka ndryshuar pasi, sipas tij, faktet nuk përputheshin me perceptimet e krijuara në rrjetet sociale. Ai shtoi se qeveria nuk ka shitur Sazanin apo Zvërnecin dhe se negociatat për projektin në këto zona nuk kanë përfunduar ende.
“Siç mund ta keni vënë re, protesta nisi me Zvërnecin dhe sot Zvërneci është harruar. Sepse, besoj unë, shumë shpejt u kuptua që realiteti i fakteve ishte i ndryshëm nga ai që njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dezinformimit. Realiteti i fakteve nuk është që qeveria shiti atdheun, shiti Sazanin apo shiti Zvërnecin. Realiteti është krejt i kundërt. Aty ku qeveria ka përgjegjësi si përfaqësuese e interesit publik dhe administratore e pronës publike, jo vetëm që nuk ka bërë shitje, por edhe tani që flasim, për shkak se qeveria ka pasur një pozicion të qartë në negociata me palën tjetër, që Shqipëria duhet të jetë pjesë si pronare në këtë sipërmarrje, ne nuk kemi ende një marrëveshje”, tha Rama.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.