Vlorë/ Tre në pranga brenda 24 orëve, njëri i dënuar me 20 vite burg për vrasje në Itali
Tre persona të shpallur në kërkim janë arrestuar në Vlorë gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të tre operacioneve të zhvilluara nga policia. Të ndaluarit akuzohen për vepra të ndryshme penale, nga vrasja dhe kultivimi i lëndëve narkotike deri te vjedhjet.
Mes të arrestuarve është 47-vjeçari Maringlen Doga, banues në Vlorë, i dënuar me 20 vite burgim, pasi Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin e autoriteteve gjyqësore italiane për veprën penale të vrasjes me dashje. Ngjarja për të cilën ai është dënuar ka ndodhur në vitin 2000, në Ravena të Italisë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, 47-vjeçari dyshohet se ka vrarë me thikë një shtetas shqiptar.
Në pranga ka përfunduar edhe një 49-vjeçar nga fshati Bishan, i identifikuar me inicialet Y.D., i cili ishte shpallur në kërkim pasi gjatë kontrollit në banesën e tij, më 31 tetor, policia gjeti dhe sekuestroi rreth 12 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe gjashtë bimë të dyshuara të së njëjtës specie. Ai akuzohet për kultivim dhe prodhim të lëndëve narkotike.
Ndërkohë, operacioni i tretë çoi në arrestimin e një 50-vjeçari nga Vlora, me inicialet A.K., i dyshuar për pesë vjedhje të kryera gjatë muajve tetor dhe nëntor 2026 në qytet. Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka vjedhur shuma parash, portofol, laptop dhe celularë në subjekte dhe ndaj personave të ndryshëm.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.