Protestë qe s’ka luksin e xhihadizmit politik
Nga Arben Manaj
Është e trishtë që opozita shqiptare, edhe pse ka gjithë arsyet e mundshme në botë për të protestuar, planifikon protesta që të përkojnë simbolikisht me data të caktuar të historisë, dhe jo me urgjencën e kaleidoskopit të problematikës, për ta vënë qeverinë përpara gjyqit publik të votueseve. Normalisht që ka arsye të mjaftueshme që shqiptarët të protestojnë kundër kësaj qeverie dhe arrogancës tipike të saj, por ka po aq arsye të mjaftueshme për të mos u bindur nga thirrjet e kësaj proteste.
Kjo opozitë e sotme, vjen nga një proces i paplotë “mea culpa” politike dhe fatkeqësisht, nën shtysën e një politike protestash 25-vjeçare me ideator të njëjtin njeri, që mbijetesën e tij politike dhe mos-precedencën penale formale, e ka ekskluzivisht dhe paradoksalisht, të lidhur me protesta, sidomos të dhunshme.
Në çdo vend të botës, opozitat politike bëjnë protesta, si shprehje të demokracisë në funksionim, por në Shqipëri, protestat antiqeveritare ose kundërshtitë e publikut ndaj reformave dhe politikave antipopullore, nuk organizohen nga instrumentet më efektive kudo në botë, përmes sindikalizmit. Ky i fundit është i vdekur bashkë me shoqërinë civile shqiptare, që janë treguesit më të frikshëm të asaj demokracie, që është instaluar në Shqipëri, pa përjashtuar edhe median. Qoftë edhe fakti se duhet transmetuar ose jo një reklamë proteste, është shprehje e blerjes së kësaj të fundit nga pushteti i ditës, aq shumë i asociuar me laguna dhe ngjala.
Po ashtu fakti që, me zor merret përgjegjësia dhe autorësia e prodhuesit të saj, lë hapur shtegun dhe shmangien e përgjegjësisë së organizatorëve të protestës, që duan të shpërblejnë me të njëjtën monedhë ose kopjojnë atë që bënte Rama në opozitë, me protesta që kanë rezultuar fatale për jetën e të paktën katër personave në bulevard, jetë të fikura që deri më tani kanë shkuar dëm, por jo politikisht, pavarësisht se në cilën anë të gardhit të hequr të Kryeministrisë gjendeshe atëherë ose ndodhesh aktualisht. Kjo protestë nuk ka luksin të shndërrohet në xhihadizëm politik nga organizatorët, pasi do të bënin gabimin më fatal të tyre, duke e shtyrë në pafundësi rikthimin e saj në administrimin politik të Shqipërisë. Fatkeqësia e protestës së 8 dhjetorit dhe në tërësi e tërë kjo gjendje qeverisjeje nga mazhoranca aktuale, qëndron në faktin se në Shqipëri nuk ka opozitë efektive, tek e cila publiku dhe jo militantizmi partiak i kësaj force, i prekur nga reformat, që sheh sesi lulëzon korrupsioni, ta identifikojë vetveten.
Opozita mund të sjellë në Tiranë dhjetëra a qindra autobusë për ekskursion opozitar, nga rrethet e ta mbushë bulevardin, në shifra që kurrë nuk kanë sjellë ndonjë ndryshim në mirëqeverisjet shqiptare në këta 25 vjet demokraci. Përveçse ka bërë të ndihen mirë dhe kanë hequr nga lista e punëve që do duhet të bëjë opozita në kalendarin politik të një viti, dhe kaq, e që të nesërmen, gjërat të vazhdojnë si në 7 dhjetor. Opozita mund të bëjë thirrje e të paguajë me çdo qime të kokës, që të prekurit e reformave t’i bashkohen asaj, por kushdo fytyrë-rreshkur ose hallexhi e ka shumë të vështirë të inspirohet e të heqë nga përditshmëria apatizmin, nga sqimatarët e mirëveshur e të nginjur apo fotomodelet e pasarelës së opozitës në bulevard, që do jenë pjesë e protestës, apo edhe ata anëtar lokal të PD-së nëpër rrethe, që i kanë zgjidhur hallet e tyre financiare në kohën e qeverisjes së PD-së.
Kjo protestë nuk mund të sjellë, pasi asnjë e tillë nuk ka sjellë në historinë politike të postkomunizmit, ndonjë qeveri teknike, edhe kur ato janë krijuar, praktikisht në rrethana tejet të pangjashme me këto aktualet. Ideja e pabesueshme edhe për vetë ata që i artikulojnë, krijimet e një qeverie teknike, kur faktorët politikë e parlamentarë nga ku mund të vijë realisht perspektiva reale e mishërimit të një fantazie të tillë, nuk ekzistojnë realisht dhe nuk kanë arsye që ta prodhojnë një skemë të re ndarjeje pushteti. Pikërisht dështimi i opozitës për jetësimin e një skeme të tillë, me faktorët që e mundësojnë këtë e që janë brenda mazhorancës, PS në rastin ideal, e LSI në rastin më pak të mundshëm, është një arsye më shumë, që protesta të tilla të jenë thjesht një rekord i vlefshëm vetëm për kalendarin e arkivin politik të PD-së, që do i lërë vendin arrogancës së mëtejshme të mazhorancës, e cila e di shumë mirë se rreziku nuk i vjen nga jashtë, pra nga PD-ja, sesa nga brenda, e as nga një publik shqiptar që nuk shquhet për protagonizëm të atillë që sjellin ndërrime qeverish, siç ndodhi gjetiu së fundmi në një vend ballkanik, anëtar i BE-së. Orekse për ndryshime kursesh politike nuk identifikohen as në diplomacinë ndërkombëtare, pa folur për mençurinë e organizimeve të tilla publike, në kushtet e një gjendjeje të sikletshme sfidash nga terrorizmi ndërkombëtar, grumbullime që do duheshin të konsultoheshin paraprakisht me institucionet e specializuara të inteligjencës shqiptare, për të shmangur çdo demonstrim xhihadizmi, qoftë edhe politik.