Protestuesit qëndrojnë gjithë natën para dyerve të Kuvendit, nesër protestë nga ora 08:00 në sheshin Skënderbeu
Platforma "Jo në emrin tim" njoftoi se sonte qëndron gjithë natën para dyerve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa nesër, më 5 tetor, organizon protestë nga ora 08:00 në sheshin Skënderbeu — me kërkesën kryesore votimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen.
Platforma “Jo në emrin tim” ka njoftuar se sonte, më 4 tetor, protestuesit do të qëndrojnë gjithë natën para dyerve të Kuvendit të Kosovës. Në njoftimin e shpërndarë thuhet se qëndrimi është pa dallime partiake, me një kërkesë të vetme: “VOTOJENI LIGJIN!”, siç njofton KosovaPress.
Sipas njoftimit, nga ora 08:00 e mëngjesit të së hënës, më 5 tetor, secili qytetar ftohet t’u bashkohet protestuesve në sheshin Skënderbeu në Prishtinë. “UÇK-ja është historia jonë. Identiteti ynë. Liria jonë. NESËR, ORA 08:00 në mëngjes, TË GJITHË NË SHESHIN SKËNDERBEU. JO NË EMRIN TIM”, thuhet në njoftim.
Ky veprim vjen në prag të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për të hënën më 5 tetor në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Para seancës plenare, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion do ta shqyrtojë projektligjin.
Kërkesa kryesore e protestuesve është miratimi sa më i shpejtë i ndryshimeve të këtij ligji, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.