PS: Basha nuk mbajti premtimin për rritjen e të ardhurave
Partia Socialiste, përmes deputetit Ervin Bushati, deklaroi të martën se ‘rritja e të ardhurave’ është një tjetër premtim i pambajtur i Lulzim Bashës si kryetar bashkie.
“Në 2011-n, Basha premtoi se do të rriste të ardhurat e Bashkisë Tiranë me ‘të paktën 2.5 herë’, por sipas të dhënave të publikuara në Relacionin e Realizimit të Buxhetit, për vitin 2013 ai ia doli të mbledhë vetëm 58.7% të të ardhurave. Thënë më shkoqur, Lulzim Bashës i mungojnë plot 40 milionë dollarë për 2013-n”, u shpreh Bushati.
Sipas PS-së, këto 40 milionë dollarë janë projekte të munguara në shërbime, infrastrukturë, parqe, gjelbërim, turizëm e kulturë. “Arsyeja është e thjeshtë: Luli ka qenë shumë i zënë me punë të tjera. Mes punës në Holandë dhe punës si kryetar i PD-së Basha nuk ka pasur kohë të merret me punët e Bashkisë dhe problemet e qytetarëve të Tiranës”, u shpreh Bushati. Më 21 qershor, shtoi ai, Tirana do të jetë në drejtimin e duhur.