PS dhe PD gjejnë gjuhë për Rregulloren e re të Kuvendit, zbulohet drafti që do votohet në parlament
Mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensus në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të zhvilluar mëngjesin e kësaj të enjteje për draftin e ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, i cili pritet të votohet gjatë seancës plenare të sotme.
Bëhet me dije se dakordësia mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike është arritur pas negociatave të zhvilluara në ditët e fundit, ndërsa ndryshimet synojnë riorganizimin e funksionimit të Kuvendit, procedurave parlamentare dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit institucional.
Drafti parashikon një sërë ndryshimesh të rëndësishme, mes tyre ristrukturimin e komisioneve të përhershme parlamentare, duke i çuar ato në 11 komisione me fusha të reja përgjegjësie, si edhe krijimin e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
Një tjetër ndryshim lidhet me funksionimin e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, ku parashikohet përfaqësim i barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare. Në rast barazimi votash, vota e sekretarit do të jetë përcaktuese.
Po ashtu, drafti sjell rregulla të reja për procesin legjislativ, duke përfshirë procedura të përshpejtuara për projektligjet që lidhen me integrimin europian dhe detyrimet që rrjedhin nga negociatat me Bashkimin Europian.
Ndryshimet prekin edhe masat disiplinore ndaj deputetëve. Përjashtimi nga seancat plenare apo komisionet do të llogaritet me ditë kalendarike dhe do të shoqërohet me ndalim page për aq ditë sa zgjat masa disiplinore.
Drafti përfshin gjithashtu dispozita të reja për të drejtën e informimit të deputetëve, duke detyruar institucionet shtetërore që t’u përgjigjen kërkesave të tyre brenda afateve të përcaktuara.
Sipas procedurës parlamentare, projektvendimi pritet të hidhet për votim në seancën plenare të kësaj të enjteje, ndërsa mbështetja me konsensus nga të dyja palët politike shihet si një zhvillim i rrallë në raportet mes mazhorancës dhe opozitës në Kuvend.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.