PS, forca që çoi vendin përpara”/ Sara Mila mbledh brezat socialistë të Elbasanit në 8 orë rrëfime për 35 vjetorin!
Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, deputetja e qarkut të Elbasanit, Sara Mila, ka menduar të risjellë historinë në një bisedë-podkast të veçantë me titull “Kronikë e Partisë Socialiste mbi Shkumbin”, ku tre ish-deputetë historik të Elbasanit kanë ndarë kujtimet, sfidat dhe përvojat e tyre gjatë viteve në politikë.
Për rreth 8 orë xhirime dhe intervista me figura të njohura të PS-së, por edhe me të rinj që janë njohur në strukturat e partisë e tashmë kanë krijuar familje, deputetja Mila ka shkëputur nga secili prej tyre rrëfime, mbresa, lot gëzimi e këshilla për të rinjtë që duhet ta çojnë para partinë.
Agron Tato, Bukurosh Stafa dhe Agim Leka rikthyen në kujtesë periudhat më të vështira të tranzicionit shqiptar, sakrificat personale dhe përgjegjësinë që kishin ata si përfaqësues të qytetarëve në Parlament.
Ish-deputeti Agron Tato kujtoi kandidimet e tij të njëpasnjëshme në vitet e vështira politike, teksa tregoi se edhe pas humbjeve nuk u tërhoq nga beteja politike.
“Familja më thoshte ‘boll se ke humbur tre herë”. Mirë po e shikoja që populli ishte goxha i mërzitur, i acaruar me atë që po ndodhte me Partinë Demokratike dhe kështu që më dukej sikur po tradhtoja dhe unë ca njerëz që ishin afër”, u shpreh profesor Tato.
Ndërsa Bukurosh Stafa ndau historinë e tij personale, nga drejtimi i Kombinatit Metalurgjik deri te vështirësitë ekonomike pas ndryshimeve demokratike.
“Jam doktor shkencash dhe kam punuar në Kombinatin Metalurgjik si kryeinxhinier i Kombinatit, e më pas si drejtor. Kur u bënë ndryshimet demokratike, ngela pa punë dhe bashkë me gruan filluam me shitje qoftesh”, tregoi Stafa, duke shtuar se lidhjet me njerëzit e zonës i ka ruajtur edhe pas përfundimit të mandatit si deputet.
Edhe Agim Leka ndaloi tek përgjegjësia që mbart politika dhe përfaqësimi qytetar, duke e cilësuar postin e deputetit si momentin më të rëndësishëm të karrierës së tij. “Të zgjidhesh deputet është një vlerësim i madh, por mbi të gjitha është përgjegjësi ndaj njerëzve që të besojnë”, tha ai.
Duke u ndalur në historinë e ecurisë së tyre në politike ish deputeti Bukurosh Stafa u ndal tek zgjedhjet e vitit 2005, të cilat i cilësoi si një garë të vështirë politike për shkak të sistemit mazhoritar dhe forcimit të LSI-së në zonat elektorale. “Ishte një përballje e fortë. Kundërshtari kishte mbështetje në zonë dhe LSI mori një pjesë të rëndësishme të votave”, u shpreh Stafa.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rolit historik të Partisë Socialiste në tranzicionin demokratik të vendit. Agim Leka tha se PS-ja mbetet një forcë politike që ka kontribuar në orientimin europian të Shqipërisë. “Partia Socialiste do të mbetet në histori si një forcë që u përpoq ta çonte vendin drejt Europës. Brezi ynë mori risk dhe hyri në politikë me idealizëm”, deklaroi ai.
Leka komentoi edhe humbjen e socialistëve në vitin 2005 dhe periudhën e opozitës pas vitit 2009, duke theksuar se strukturat e partisë në atë kohë ishin të lodhura dhe se të rinjtë po tërhiqeshin më shumë nga LSI-ja. “Në 2009-ën ne nuk arritëm të rikuperoheshim. Kishim konsum nga pushteti dhe rinia nuk po vinte më tek ne”, tha ai. Në fokus të bisedës ishte edhe debati për raportin mes brezit të vjetër dhe të rinjve në politikë.
Deputetja Sara Mila solli në vëmendje kritikat që shpesh i bëhen brezit të ri të socialistëve, duke përmendur edhe deklaratat e figurave të opozitës se “nuk janë si të vjetrit”.
Për këtë, Agim Leka dha një mesazh mbështetës për të rinjtë socialistë.
“Ju jeni aty për të trashëguar dhe mbrojtur vlerat e së majtës në Parlament”, u shpreh ai. Intervista u mbyll me reflektime mbi drejtimin aktual të Partisë Socialiste dhe rolin e kryeministrit Edi Rama në menaxhimin e qeverisë dhe partisë, ku sipas tyre Kryeministri duhet të ishte më kritik dhe kërkues ndaj ministrave.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.