PS, lobim me Brian Ballard njeriun pranë Trumpit
“Ballard Partners”, një firmë amerikane e lidhur me presidentin Donald Trump, ka regjistruar brenda pak javësh një qeveri të dytë të huaj si klienten e saj.
“Partia Socialiste e Shqipërisë kërkon shërbimet e firmës me seli në Florida për këshillim, konsultim dhe asistencë në komunikimet me zyrtarët e administratës amerikane”, thuhet në dokumentet e depozituara pranë Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Kontrata që duhet të zgjasë një vit parashikon pagesa prej 20 mijë dollarësh në muaj. Parlamenti shqiptar përgatitet për raundin e parë të votimit të Presidentit të ri të vendit, një proces që mund të shkojë deri në 5 raunde.
Nga ana tjetër është kriza politike dhe refuzimi i partive opozitare për të hyrë në zgjedhje. Në këtë situatë mbërrin lajmi i kontraktimit të një firme të njohur dhe çështjeve që duhen adresuar, të cilat përfshijnë zgjerimin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, forcimin e insitucioneve demokratike dhe shtetit ligjor, promovimin e Reformës në Drejtësi, implementimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit dhe atyre ushtarake, si dhe avancimin e nismave të rritjes që ndihmojnë integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike.
Themeluesi i kësaj firme, Brian Ballard ka lobuar për organizatën e Trumpit në legjislaturën e Floridës, e ka shërbyer si shef finance në Florida për miliarderin njujorkez gjatë fushatës. Ai ka qenë po kështu një eksponent i rëndësishëm i mbledhjes së fondeve për betimin e presidentit të zgjedhur.
Tani vonë, “Ballard Partners” ka çelur një zyre edhe në Uashington. Donald Trump vendosi rregulla të ashpra mbi ish-zyrtarët e administratës që lobojnë për qeveri të huaja. Në javën e tij të parë në Zyrën Ovale, ai firmosi edhe një urdhër ekzekutiv mbi këtë temë, por rregullorja nuk aplikohet mbi personat që kanë punuar për të gjatë fushatës dhe gjatë periudhës së kalimit të pushtetit.