Pse disa njerëz jetojnë mbi 100 vjeç? Studimi gjen të dhëna te qelizat e njerëzve që arrijnë këtë moshë
Disa njerëz jetojnë për dekada më gjatë se të tjerët, madje edhe përtej moshës 100-vjeçare. Çfarë i bën ata të ndryshëm?
Studiuesit në Universitetin e Osakës në Japoni kanë zbuluar një të përbashkët te njerëzit që jetojnë mbi 100 vjeç: një numër jashtëzakonisht të lartë të një lloji specifik dhe të rrallë qelizash.
Sipas studimit, qelizat CD4 CTL, qeliza të bardha të gjakut që janë pjesë e përgjigjes imunitare të trupit, shtohen teksa njerëzit arrijnë moshën 100 vjeç.
Në studimin e publikuar në revistën Cell Reports, studiuesit zbuluan se këto qeliza shtohen dhe përshtaten te kjo kategori e të moshuarve.
Ndërsa te individët më të rinj ato zakonisht përbëjnë më pak se 5% të qelizave T, te njerëzit që jetojnë mbi 110 vjeç të ashtuquajturit superqindvjeçarë, përqindja mesatare arrin rreth 17.6%.
Studiuesit analizuan mostrat e gjakut të 28 të rriturve, të ndarë në tri grupmosha: 70–99 vjeç, 100–109 vjeç dhe 110 vjeç e lart. Ata zbuluan se përqindja e qelizave CD4 CTL rritej me moshën, me përqindje mesatare përkatësisht 4%, 9.6% dhe 17.6%.
Plakja vjen si rezultat i grumbullimit të dëmtimeve molekulare dhe qelizore me kalimin e kohës, duke çuar në një rënie graduale të kapacitetit fizik dhe mendor, si dhe në rritjen e rrezikut për sëmundje dhe vdekje.
Megjithatë, autorët theksuan se vetë plakja nuk është një sëmundje dhe as nuk çon domosdoshmërisht në dështimin e sistemeve thelbësore fiziologjike.
Superqindvjeçarët konsiderohen një model i plakjes së shëndetshme: ata ruajnë profile imunitare, kardiovaskulare dhe epigjenomike që duken më të reja nga sa pritej për moshën e tyre, duke arritur jetëgjatësi dhe duke shmangur ose vonuar sëmundje të rëndësishme të lidhura me moshën, si çrregullimet kardiovaskulare dhe kanceri.
“CD4 CTL janë një popullatë atipike dhe relativisht e rrallë qelizash T”, tha autori i parë i studimit, Kosuke Hashimoto, profesor i asociuar në Universitetin e Osakës. Ai shtoi se rritja e tyre e theksuar te superqindvjeçarët mund të ofrojë të dhëna të rëndësishme për mënyrën se si ruhet sistemi imunitar në moshat ekstreme.
“Zgjerimi selektiv i disa qelizave T sugjeron se, edhe në moshë shumë të avancuar, sistemi imunitar mund të vazhdojë të përshtatet me sfidat që lidhen me plakjen”, shtoi ai.
Studimi sugjeron se këto qeliza mund të kontribuojnë në plakjen e shëndetshme dhe jetëgjatësinë duke synuar qelizat e plakura që grumbullohen në trup, si dhe duke ofruar mbikëqyrje imunitare ndaj tumoreve.
Autorët vunë në dukje se kërkimi, i cili u përqendrua te prania e qelizave T që qarkullojnë në gjak, nuk provon se një sasi e madhe e qelizave CD4 CTL parandalon kancerin apo bën që një person të jetojë më gjatë. Hashimoto tha se hapi i ardhshëm i ekipit është të hetojë se si sillen këto qeliza në indet njerëzore.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.