Pse është kaq i preferuar Macroni
Në sondazhe, mbështetja për Presidentin francez së fundi është shtuar shumë. Me një kombinim të rafinuar politik ai iu drejtohet qarqeve të ndryshme ideologjike – atyre që kërkojnë fillim të ri, por edhe konservatorëve.
Për “popullin tim” foli Emmanuel Macron në intervistën 40 minutëshe në stacionin televiziv France 2. Kjo shprehje nuk u prit mirë kudo, ajo të kujtonte shumë qendrimin e një “roi soleil”, të një “mbreti diell”, i cili i erdhi në mend gazetës “Le Monde”. Si një lloj “monarku republikan” e përshkroi ajo Presidentin. Me këtë gazeta preku thelbin e inskenimit të përshtypjes, të cilën synon të aktivizojë te spektatorët shtabi i presidentit: pikërisht kombinimin në njërën anë të motiveve madhështore dhe nga ana tjetër të motiveve të përditshme. Këtu shkallarja e nderit me një qilim të gjatë të kuq në Pallatin Elize, atje presidenti dinamik i ri, i thelluar në bisedë me reporterin.
Ai kërkon të hetojë cili është “fati i Francës”, i tha në besim Macroni reporterit në shëtitjen në rezidencën presidenciale. Një fjali e madhe – e pritur me shpoti në internet, por në përgjithësi me sa duket sipas shijes së pjesëve të gjera të publikut. “Francezët e vlerësojnë një lloj vertikalizmi të pushtetit”, shkroi Le Monde, duke iu referuar jo vetëm intervistës televizive.
Presidenti i ri
Në fakt, Macroni po përjeton një rritje në sondazhe, duke u dalluar këtu dukshëm nga dy paraardhësit e tij Sarkozy dhe Hollande, të cilët të dy, pas një gjysme viti në post, kishin rënie të dukshme në preferencë në popull. Krejt e ndryshme është situata me Macronin: në bazë të sondazheve të Institutit Demoskopik Ifop, Macroni, pas një faze të përkohshme të ulët në gusht, kur vetëm 40 përqind e francezëve mendonin mirë për Presidentin, tani ka një mbështetje prej 52 përqind.
Macroni është popullor për një sërë arsyesh. Më e dukshmja: mosha e tij e re. Të enjten ai mbushi 40 vjeç. Me këtë ai nuk është i vetëm në Evropë. Sebastian Kurz në Austri, Jüri Ratas në Estoni, Leo Varadkas në Irlandë – të gjithë këta janë në të 30-t. “Popujt kanë vendosur që të largojnë brezin, i cili ka dështuar në periudhat e krizave (papunësia, varfëria, imigrimi)”, e komenton Christoph Barbier, kryeredaktori i revistës politike “L’Express”, tendencën ende të përmasave të kufizuara. “Disa popuj kanë vendosur për populizmin, të tjerë për rininë, dhe të tjerë populizmin në formën e rinisë”. Pritet të shihet nëse ky brez do të ketë sukses, por kërkesa thelbësore që qëndron pas kësaj është e qartë: “Mos u përpiqni të riparoni një botë të vjetër – shpikni një botë të re”.
Mbështetje edhe te e vjetra
Por Macroni vë në themel të Francës së re pjesë të së vjetrës. Tregu i punës, arsimi, imigrimi: në këto fusha ai ka vënë thekse të reja ose po e bën këtë. Reforma e tij e tregut të punës, në thelb një zhdërvjelltësim dhe zbutje e mbrojtjes në punë për punëmarrësit, vërtet që ka nxjerrë në rrugë shumë francezë, por edhe gjen mbështetje në pjesë të gjera të popullit.
Le Monde përshkruan përshtypjen e jo pak qytetarëve se Macroni po e nxjerr vendin nga bllokada dhe po e bën këtë me një ekip kompetent. Këtu ai dallohet mjaft nga shumë paraardhës të tij. Edhe në arsim ai mbështet një kurs më të rreptë, të orientuar më pak te multikulturalizmi.
Këtë ai e ndjek edhe në punën për një ligj të ri imigrimi, i cili do të shtrojë kërkesa të larta ndaj të gjithë atyre që duan të vijnë në Francë. Duket se bota e re e Macronit është më pak një shpikje krejtësisht e re, se sa një largim nga qendrimi laissez-faire, ndaj të cilit ndihej e detyruar qeveria e larguar e Hollandes. Jo më kot ai po bën për vete gjithnjë e më shumë zgjedhës të Frontit të Djathtë Nacional. 35 përqind e tyre kanë sipas sondazheve përshtypje të mirë për të.