Bota

Pse politikanët perëndimorë tërhiqen gjithnjë e më shumë nga Vladimir Putin?

Këmbëngulja e Donald Trump për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë kërcënon të revolucionarizojë politikën e jashtme amerikane. Hapja e presidentit amerikan ndaj Vladimir Putin ka shqetësuar pothuajse të gjitha autoritetet e politikës së jashtme në Uashington.

Por Trump nuk është i vetmi. Këtë dispozitë ndaj Putin e kanë edhe politikanë evropianë në Francë, Itali, Hungari, Çeki dhe vende të tjera. Dhe jo të gjithë janë të së djathtës ekstreme. Nuk është e mundur që të gjithë të jenë agjentë të Kremlinit.

Atëherë, pse pëlqehet kaq shumë Putini në Perëndim?

Para shumë kohësh, dy politikanë, një amerikan dhe tjetri rus, bashkuan duart në tryezën e një bari dhe filluan të bënin një mundje dore. Nuk bëhej fjalë për konkurrencë të vërtetë. Dueli përfundoi në një sekondë dhe fituesi ishte zëvendës kryetari i Bashkisë së Shën Petersburg, një njeri që kishte shtuar forcën fizike, pas viteve të tëra trajnimi në xhudo.

Të paktë ishin ata jashtë Rusisë që kishin dëgjuar për të. Por, pesë vjet më vonë ai do të bëhej presidenti i saj. Kongresmeni amerikan Dana Rohrabacher ende qesh kur kujton duelin e tij të shkurtër me Putinin në vitin 1995, kur rusi ndodhej në SHBA për një vizitë zyrtare.

Që atëherë nuk është takuar më me Putinin. Por, për shumë vite Rohrabacher ka qenë zëri më i  qëndrueshëm dhe i vetëm në Uashington në favor të shkrirjeve të marrëdhënieve me Rusinë.

Dana Rohrabacher

“Nuk e shoh Putinin si një djalë të mirë. E shoh si një djalë të keq. Por jo të gjithë djemtë e këqij janë armiq të cilët duhet t’i rrëzojmë”, thotë kongresisti Rohrabacher.

“Ka shumë fusha ku kjo do të ishte një botë më e mirë nëse do të punonim së bashku, në vend të kësaj breshërie të vazhdueshme armiqësie drejtuar çdo gjëje që rusët përpiqen të bëjnë”.

Rohrabacher nuk e miraton hakerimin rus gjatë fushatës zgjedhore amerikane, apo inkursionet ushtarake të Kremlinit në Ukrainë. Por beson se Rusia është viktimë e standardeve të dyfishta të Perëndimit.

Dhe ky është një vizion që e ndajnë edhe ekspertë të tjerë perëndimorë në Rusi, edhe pse pjesa më e madhe nënvizon se sa agresiv është bërë vendi nën drejtimin e presidentit Putin. Richard Sakwa, profesor i politikës ruse dhe europiane në Universitetin e Kentit në Angli, është pjesë e kësaj minorance.

“Jetojmë në një kuti rezonance që dëgjon vetëm veten”, thotë ai. “Kryefjala është “agresioni rus” që përsëritet deri në lodhje në vend që të vihet në punë mendimi”.

“Kur bëhet fjalë për interesat tona kombëtare, është mirë. Por, kur Rusia përpiqet të mbrojë interesat e saj, është e paligjshme, është agresive dhe e rrezikshme për pjesën tjetër të botës”.

Aneksimi i Krimesë dhe mbështetja ushtarake ruse ndaj separatistëve në lindje të Ukrainës është parë gjerësisht si një dëshmi që Putin kërkon të zgjerojë kufijtë e vendit të tij. Por profesor Sakwa e konsideron krizën e Ukrainës si një simptomë të dështimit për të krijuar një sistem të ri sigurie  ndërkombëtare pas Luftës së Ftohtë që përfshin edhe Rusinë.

Boris Yeltsin dhe Vladimir Putin

Ndërkohë, Stephen Cohen, profesor i studimeve ruse në Universitetin e Nju Jorkut, argumenton se “përbuzja” për Presidentin Putin në Perëndim ka ardhur si pasojë e zhgënjimit kur udhëheqësi rus ktheu disa nga reformat e paraardhësit të tij, Boris Yeltsin, të frymëzuara nga Perëndimi.

Për shumë rusë këto reforma ishin përgjegjëse për rebelimin dhe rënien e standardeve të jetesës, gjatë asaj periudhe.

“Putin është një evropian që po përpiqet të drejtojë një vend që është pjesërisht Evropian”, thotë Cohen.

“Por ne kërkojmë që gjithë bota të ecë me ritmin e orës sonë historike”.

Profesor Cohen është një zë i rrallë liberal në favor të shkrirjes së marrëdhënieve. Shumica e amerikanëve që dëshirojnë marrëdhënie më të mira me Rusinë janë politikisht të djathtë. Disa janë “neo-izolacionistë” që nuk u pëlqen ajo, që ata e shohin si një tentativë të vendit të tyre për të “eksportuar demokraci” në Irak, Siri apo Rusi. Ata bien dakord me Kremlinin, që kundërshton çdo ndërhyrje të huaj në punët e shteteve sovrane.

Të tjerët janë “realistë strategjike” të cilët argumentojnë se fuqitë e mëdha, duke përfshirë Rusinë, gjithmonë do të kenë “sferat e influencës” përtej kufijve të tyre. Në Shtetet e Bashkuara, doktrina Monroe u përpoq të shmangë përfshirjen ushtarake dhe politikën e jashtme në Botën e Re.

Argumenti i kundërt është se shtetet e pavarura kanë të drejtë t’i përkasin çdo aleance që ata dëshirojnë. Shumica e vendeve të ish-bllokut sovjetik në Evropën Lindore u anëtarësua në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pas Luftës së Ftohtë.

Dhe disa udhëheqës aktualë dhe të shkuar të këtyre shteteve kanë paralajmëruar Trumpin se çdo përpjekje për të negociuar me Putinin mund të rrezikojë sigurinë e rajonit.

Por një qeveri e Evropës Qendrore, Hungaria, ka një qëndrim tjetër.

Peter Szijjarto

“Nuk e shohim Rusinë si kërcënim për Hungarinë”, tha ministri i jashtëm Peter Szijjarto. “Nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk mund të punojnë së bashku në çështjet globale, kjo do të dëmtonte sigurinë e Evropës Lindore”.

Hungaria gjithashtu do t’i japë fund sanksioneve që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë.

Thotë se janë kundërproduktive, për shkak se kanë bërë që Rusia t’u përgjigjet me sanksione, të cilat kanë dëmtuar industrinë e eksportit në Europë.

Por qeveria hungareze, e cila është kritikuar gjerësisht për kufizimin e sistemit demokratik të ndarjes së pushteteve, gjithashtu ka interesa të tjera me Rusinë.

Kryeministri Viktor Orban ka thënë se Evropa duhet të ruajë “vlerat e krishtera” përballë emigracionit nga vendet myslimane.

Kremlini ka theksuar në retorikën e tij, nevojën për të ruajtur identitetin kombëtar dhe vlerat e krishtera, gjë që ka bërë nacionalistët në Perëndim që ta shohin Moskën si aleate.

Shumë, sidomos të së djathtës, besojnë se kërcënimi i emigracionit masiv dhe terrorizmit është shumë më i madh se rreziku i Rusisë.

Kongresmeni Rohrabacher shprehu: “Të thuash se Rusia është armiku, kur edhe ata janë të rrezikuar nga terrorizmi radikal islamik, është rruga e gabuar”.

Deri në fund të vitit të kaluar, më shumë se një e treta e votuesve republikanë e shihnin pozitivisht Presidentin Putin, sipas një sondazhi të YouGov, në krahasim me vetëm një të dhjetën në vitin 2014.

Profesor Stephen Cohen beson se Donald Trump do ta ketë të vështirë të shesë një politikë të re në Rusi.

“Nëse Trump thotë se ne kemi nevojë sheshim të tensioneve me Putin për hir të sigurisë sonë kombëtare”, thotë ai, “do të jetë shumë e vështirë që njerëzit e qendrës dhe të majtët ta mbështesin sepse do të quhen apologjetët e Putinit dhe Trumpit. Është thikë me dy presa”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button