Pse vendosa ta shpjegoj me 300 fjalë kancelaren
Me fjalorin e tij për Merkelin, gazetari Andreas Rinke e zbërtheu kancelaren në mbi 300 fjalë. Në intervistë me DW ai thotë pse e bëri këtë.Deutsche Welle: Angela Merkel është boll e famshme. Pse i duhej botës edhe ky libër?
Andreas Rinke: Bota ka nevojë për këtë libër, sepse ai është një metodë krejt e ndryshme për të kuptuar politikanen Merkel dhe ndoshta disi edhe njeriun Merkel. Prandaj unë vendosa t’i jap shpjegimet në formë fjalori, sepse ekzistojnë shumë biografi. Por siç ka dalë në pah, njerëzit ende vrasin mendjen për atë që e shtyn këtë grua në veprimet e saj dhe pse vepron ajo ashtu si vepron. Kjo u bë veçanërisht e qartë në krizën e refugjatëve.
Po çfarë e shtyn atëherë këtë grua që të veprojë si vepron?
Po të hedhim vështrimin tek kriza e refugjatëve, konstatojmë se kanë qenë dy-tri forca shtyrëse, që e përcaktuan pozicionin e saj: nga njëra anë dëshira, për ta mbajtur të bashkuar Evropën. Secili mund të vendosë vetë, a e ka arritur ajo këtë apo jo. Por gjithsesi ishte një motiv i saj, për të mos i mbyllur kufijtë, sepse Merkeli mendoi se atëherë në Evropë do të krijohet një efekt domino, kur shteti më qendror dhe më i rëndësishëm i mbyllte kufijtë e tij. Forca e dytë që e ka shtyrë atë është sigurisht formimi i krishterë i saj, të cilin ajo e ka nga familja e prindërve të saj. Ndërgjegjësimi që të angazhohesh për të tjerët. Shumë herët – që në vitet 1990 – ajo ka tërhequr vëmendjen se ekziston një përgjegjësi humanitare për pranimin e refugjatëve të luftës nga Jugosllavia – se ekziston një përgjegjësi humanitare. Ashtu si atëherë, edhe tani ajo thotë se është ndihmë e përkohshme, por të cilën vende të pasura si Gjermania dhe Bashkimi Evropian duhet të jenë të gatshëm ta japin. Përveç këtyre, një rol luan edhe përvoja e saj në RDGJ dhe ndjenja se Gjermania Perëndimore e ndihmoi atëherë Republikën Demokratike Gjermane. Dhe se izolimi dhe ngritja e kufijve në fund të fundit nuk i pengon njerëzit të shkojnë atje ku duan të shkojnë.
Është e vështirë ta thuash. Ajo nuk është një fjalë e vetme, por pikërisht kombinimi i këtyre më shumë se 300 fjalëve. Prandaj edhe shtojca në libër, sepse si vëzhgues dhe si gazetar kurrë nuk mund ta përshkruash në mënyrë të plotë njeriun. Ne vetëm vëzhgojmë dhe e bëjmë këtë nga një distancë relative. Dhe megjithëse unë vëzhgoj shumë takime, që kryen ajo si kancelare ose si kryetare e CDU-së, në fund të fundit kemi vetëm një afrim. Ideja bazë e librit qe që përmes sa më shumë aspekteve të veçanta të bashkojmë pjesë të një tablloje të përgjithshme.
Ajo që më magjeps është që pas njëmbëdhjetë vitesh në post, kësaj kancelareje i kanë atribuar mënyra të ndryshme dhe kontradiktore sjelljeje, herë-herë duke i përshëndetur dhe herë-herë duke i kritikuar. Nga njëra anë ajo konsiderohet si njeri që e kthen pallton nga fryn era, nga ana tjetër që ngurron të marrë vendime, por pastaj shihet si kokëfortë dhe besnike ndaj parimeve. Kjo përshtypje u krijua vitin e fundit, me krizën e refugjatëve. Ajo që më ngacmoi mua ishte dëshira për të bërë të qartë se te Merkeli mund t’i gjesh të gjithë elementët në fusha të ndryshme të politikës. Kjo varet çdo herë se me kë qeveris ajo dhe si është ambjenti politik në botë dhe në Evropë. Aspekti evropian ishte shumë vendimtar për të 11 vjetët e Angela Merkelit kancelare.
Tek Google, ajo që ishte kërkuar më shpesh së fundi nga njerëzit për kancelaren ishte “Kush është Angela Merkeli?”. Cila është përgjigjia juaj?
(qesh) Unë jam përpjekur që ta jap këtë përgjigje në 400 faqe. Angela Merkel është një politikane shumë komplekse, e cila përbëhet nga shumë aspekte të veçanta, me një tendencë të fortë për t’u dhënë gjërave strukturë dhe për pushtet, për të cilën, ashtu si për parardhësin e saj (Gerhard Schröder) nuk është kontradiktë që të kesh parime, të veprosh në mënyrë humanitare dhe të synosh njëkohësisht pushtet politik. Vetëm pushteti të jep mundësinë që të ndryshosh diçka siç e mendon ti.
Libri “Das Merkel-Lexikon, Die Kanzlerin von A–Z” (Fjalori për Merkelin, Kancelarja nga A-Z) është botuar në shtëpinë botuese Klampen in Springe.