Pseudobalanca e mediave
Ideja se dy palë ndërluftuese bombardojnë njëra-tjetrën me raketa nuk qëndron. Sidomos me hyrjen e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës gjendja u acarua përsëri.
Funksionarë të Hamasit në shënjestër”, “Luftë kundër palestinezëve radikalë”, “Urrejtje ndaj Hamasit”, “Lufta e Izraelit kundër Hamasit” – këto janë titujt e shumicës së artikujve të mediave për raundin e ri të konfrontimit ushtarak në Lindjen e Mesme. Ky këndvështrim është problematik – e madje në shumë pikëpamje.
Së pari, ai sugjeron një ekuilibër që në realitet nuk ekziston. Sipas motos: Dy palë ndërluftuese bombardojnë njëra-tjetrën me raketa; që prej tyre vriten në të dy anët civilë të pafajshëm, është vërtetë për të ardhur keq, por për fat të keq kjo nuk mund të shmanget. Sidomos me hyrjen e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës gjendja u acarua përsëri duke arritur një shkallë të re.
Sidomos civilët palestinezë vuajnë
Që prej përdorimit të dhunës masive vuan kryesisht popullsia e pambrojtur civile në Rripin e Gazës, pranohet në përgjithësi, por kjo nuk ndryshon gjë në praktikën e barazimit jorealist të dy aktorëve ndërluftues.
Për të shmangur ndonjë keqkuptim, në këtë pikë duhet të theksohet: nuk është fjala për një numërim cinik të viktimave. Çdo viktimë është një më shumë! Dhe dhuna gjithmonë dhe në thelb duhet të refuzohet si mjet për zgjidhjen e konflikteve. Megjithatë ky ekuacion do të thotë se te shumë arabë dhe myslimanë krijohet përshtypja se jeta e një palestinezi është me më pak vlerë.
Hamasi nuk është Al-Kaida
Së dyti, në shumë media evropiane, Hamasi portretizuar vetëm si “organizatë terroriste”, që kanë vetëm qëllimin për të vrarë pa dallim qytetarë të pafajshëm izraelitë dhe në këtë mënyrë propagandon një “kulturë të vdekjes”. Dhe, edhe më problematike është kur organizata islamike, që është aktive vetëm në territoret palestineze, barazohet me terroristët globale të kalibrit të Al-Kaidës.
Sigurisht, Hamasi është një degë ideologjike e Vëllazërisë Myslimane. Por ai është gjithashtu një produkt i dështimit të procesit të paqes dhe vazhdimit të okupimit të paligjshëm, prej të cilit popullsia palestineze në dekadat e fundit është radikalizuar. Dhe Hamasi përveç krahut të armatosur ka edhe krahun e tij politik-pragmatik. Ky preferon negociatat dhe përfaqëson shumicën e deputetëve palestinezë. Por më e rëndësishmja, Izraeli ka negociuar në mënyrë të përsëritur në mënyrë indirekte me Hamasin dhe ka arritur rezultate të qëndrueshme.
Thelbi i vërtetë i konfliktit në Lindjen e Mesme
Së treti, perspektiva e mediave lokale rreth spirales së re të dhunës nuk është më pak problematike sepse përmes fiksimit ekskluziv tek Hamasi si një “organizatë irracionale dhe agresive terroriste,” lufta kombëtare e palestinezëve për vetëvendosje dhe autonomi reduktohet në një betejë mes Izraelit dhe terroristëve.
Përmes kësaj perspektive humbet vështrimi në thelbin politik të konfliktit në Lindjen e Mesme: lufta e palestinezëve për shtetin e tyre. Në këtë mënyrë arritja e zgjidhjes me dy shtete, që favorizohet nga bashkësia ndërkombëtare bëhet edhe më e largët.