Puna, si të jeni numri 2 perfekt
Të qenët “krahu i djathtë” i shefit ka avantazhe të shumta: nuk ke të gjitha përgjegjësitë mbi vete, angazhohesh në punë frymëzuese dhe mëson se si të jesh një lider. Në agjencitë moderne, strategjia qëndron pikërisht në formimin brenda kompanisë të shefave të së ardhmes, duke u deleguar gjithnjë e më shumë përgjegjësi pasuesve. Por, për ta bërë sa më mirë punën tuaj, duhet të kini parasysh disa cilësi. Le t’i shohim bashkë sugjerimet e ekspertëve.
Thoni të vërtetën (me pak dinakëri)
Të qenët pasues nuk do të thotë t’i bëni gjithmonë qejfin shefit ose të zbatoni me verbëri të plotë kërkesat e një kolegu që s’njeh kufi. “Në çdo situatë, është thelbësore të keni një mendim të pavarur”, shpjegon trajneri Samantha Hurwitz. “Kjo do të thotë të vlerësoni punën e shefit dhe atë të kolegëve të zyrës me shpirt kritik, por edhe objektiv”.
Strategjia e duhur
Çfarë mund të bëni kur mendoni se shefi po gabon? Nxjerrja jashtë e problemit me dinakëri është një zgjidhje. Sipas kërkimeve, kritikat duhen bërë me një qëndrim përkrahës”, shpjegon eksperti. “Shmangni dhënien e një gjykimi të tillë: “idetë e tua janë të destinuara të dështojnë”. Kini dëshirën për të diskutuar më shumë për disa detaje që mund t’iu lejojnë të perfeksiononi planin e veprimit. Në këtë mënyrë, mesazhi që i shkon tjetrit është: “Nuk të kritikoj sepse është e drejtë, por sepse kam zili suksesin tënd”.
Merrni iniciativa dhe jini i pavarur
Një tjetër çelës i të qenët një ndihmës i mirë i shefit është të qenët produktiv kurdoherë. “Asnjëherë mos prisni që t’iu bjerë telefoni për të filluar punë, por bëhuni vetë aktiv: reflektoni mbi direktivat e marra, kërkoni ide të reja dhe propozojini ato me bindje”, shpjegon Claudio Cortese, profesori i psikologjisë së punës dhe i organizimeve të Universitetit të Torinos.
Strategjia e duhur
I pavarur po, por pa e tepruar. “Inteligjenca e ndihmësit (pra e numrit 2) është të masë talentin e vet dhe të dijë deri ku është kufiri me shefin”, thotë psikologu.
Mos bëni të “dytin” e klasës
Edhe pse mund të jeni krahu i djathtë i shefit, kini kujdes që të mos krijoni largësi me kolegët. “Për të qëndruar në një hap me inovacionin, sot, agjencitë mbështeten mbi atë që ne psikologët e quajmë ‘ndjenja e qytetarisë organizative’”, shpjegon Claudio Cortese. “Praktikisht, vështirësia e vetëm një nëpunësi u përket të gjithëve. Dhe çdokush duhet të jetë i gatshëm të zgjidhë një detyrë jo të parashikuar, për të ndihmuar këdo që kalon një moment jo fort të mirë. Në këtë mënyrë, për grupin bëhet më e mira e mundshme. Avantazhi? Të dini se, nëse në të ardhmen do të jeni ju që do të keni nevojë, dikush do të tregohet i gatshëm për t’iu kthyer nderin”.
Strategjia e duhur
Ekziston një mënyrë për të marrë ndihmë. “Asnjëherë mos u sillni sikur jeni mbi të tjerët, duke nxjerrë në pah pikën e dobët të tjetrit dhe duke thënë “ma lër mua ta bëj atë, sepse jam më i zoti/zonja”, shpjegon psikologu.
Pranoni gabimet tuaja dhe përmirësohuni
Ku qëndron dallimi mes një asistenti të nënshtruar të një kohe më parë dhe një ndihmësi të sotëm? “I pari i fshihte gabimet e tij, i dyti i tregon pa hezitim”, thotë Claudio Cortese, profesor dhe psikolog i marrëdhënieve në punë. “Dhe këtë e bën me kurajë, për dy arsye. Personi që e bën këtë e di se, duke pranuar një gabim do të thotë se ka mësuar diçka të re; dhe ai është i ndërgjegjshëm se kështu ndihmon edhe të tjerët për të mos bërë të njëjtin gabim si ai”.
Strategjia e duhur
“Justifikimi është i padobishëm kur bëni ndonjë gabim. Kështu ju nuk i ndihmoni kolegët të kuptojnë se si të punojnë në mënyrën e duhur dhe në sytë e shefit modern, kjo është humbje kohe”, përfundon Cortese.