Bota

Putin premton grurë falas për 6 vende afrikane

Presidenti rus Vladimir Putin tha përpara udhëheqësve dhe zyrtarëve afrikanë të enjten se Moska po bën përpjekje të mëdha për të shmangur një krizë globale ushqimore, pavarësisht shqetësimeve se tërheqja e vendit të tij nga një marrëveshje që mundësonte transportin e grurit nga Ukraina, do të shkaktonte rritje të çmimeve.

Zoti Putin foli në seancën hapëse të një takimi dyditor Rusi-Afrikë që po mbahet në Shën Peterburg, ku morën pjesë një numër shumë më i ulët i krerëve të shteteve dhe qeverive afrikane, krahasuar me një takim të mëparshëm në vitin 2019.

Presidenti Putin premtoi grurë rus falas në sasi të mëdha për gjashtë vende afrikane.

Vendi ynë do të vazhdojë të mbështesë me dërgesa humanitare shtetet dhe rajonet në nevojë në veçanti. Ne kërkojmë të marrim pjesë aktive në ndërtimin e një sistemi më të drejtë të shpërndarjes së burimeve. Ne po bëjmë përpjekje maksimale për të shmangur një krizë globale ushqimore”, tha zoti Putin.

E kam thënë tashmë se vendi ynë mund ta zëvendësojë grurin ukrainas, si në baza komerciale, ashtu edhe atë që ofrohet si ndihmë për vendet më në nevojë afrikane, aq më tepër që ne presim sërish sasi rekord të korrash në grurë këtë vit“, tha ai.Rusia synon të dërgojë deri në 50,000 tonë në grurë në Burkina Faso, Zimbabve, Mali, Somali, Eritrea dhe Republikën e Afrikës Qendrore në tre deri në katër muajt e ardhshëm, tha zoti Putin.

Grupi mercenar rus ‘Wagner’ ka qenë aktiv në Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Eritrea ka votuar kundër një numri më të madh rezolutash të paraqitura në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që kritikojnë sulmin rus, se çdo vend tjetër afrikan.

Burkina Faso shihet nga disa vëzhgues si një objektiv i mundshëm i radhës i grupit ‘Wagner’ ndërkohë Zimbabve ka qenë prej kohësh i kritik ndaj sanksioneve të SHBA-ve kundër tij. Somalia, edhe pse një vend aleat i SHBA-ve, konsiderohet shpesh si vendi afrikan më i prekur nga çdo kufizim lidhur me drithërat për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë furnizuesit kryesorë të grurit. Falë një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, Moska dhe Kievi ranë dakord një vit më parë të rihapin tre porte ukrainase në Detin e Zi, të bllokuara nga luftimet, duke garantuar që anijet që hynin në porte, nuk do të sulmoheshin. Javën e kaluar Rusia vendosi të largohet nga marrëveshja duke u ankuar se eksportet e saj po pengoheshin.

Premtimi që Rusi u bëri vendeve afrikane për grurë falas është kyç për arritjen e qëllimit të deklaruar të zotit Putin për të përdorur takimin e Shën Peterburgut për të forcuar lidhjet me një kontinent prej 1.3 miliardë banorësh, që po shfaqet gjithnjë e më i vendosur në skenën globale.

Pesëdhjetë e katër (54) vendet e Afrikës përbëjnë bllokun më të madh për sa i takon numrit të votave në Kombet e Bashkuara dhe kanë qenë më të ndara se çdo rajon tjetër, në qëndrimet e tyre ndaj rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme, që kritikojnë veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Takimi Rusi-Afrikë vjen pas njoftimit të autoriteteve të Afrikës së Jugut javën e kaluar, se zoti Putin nuk do të merrte pjesë në një takim ekonomik në Johannesburg muajin e ardhshëm, një udhëtim i cili mund të çonte në arrestimin e tij, bazuar në një urdhër të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, nën dyshimet për krime lufte në Ukrainë.

Zoti Putin njoftoi të enjten masa të tjera për të thelluar marrëdhëniet me Afrikën, përfshirë rritjen e numrit të studentëve afrikanë që regjistrohen në universitetet ruse, hapjen e zyrave të mediave shtetërore ruse në shumë vende afrikane si dhe një “hapësirë të përbashkët informacioni në Rusi dhe Afrikë”, me objektiv sikurse u tha, “transmetimin për audiencën ruse dhe afrikane të informacioneve të paanshëm për ngjarjet që ndodhin në botë”.

Këshilltari për çështjet e jashtme të zotit Putin, Yuri Ushakov, tha se vetëm 17 krerë shtetesh ishin të pranishëm në takim ndërsa 32 vende të tjera afrikane, përfaqësoheshin nga zyrtarë të lartë ose ambasadorë.

Kremlini tha se numri u tkurr për shkak të trysnisë së fortë perëndimore për të shkurajuar vendet afrikane që të marrin pjesë në takim. Në vitin 2019, në një takim të ngjashëm, morën pjesë 43 krerë shtetesh.
Krahas grurit, një çështje tjetër që ka të ngjarë të diskutohet në takim është fati i grupit mercenar ‘Wagner’ të udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin pas një rebelimi jetëshkurtër të tij, kundër udhëheqjes së lartë ushtarake muajin e kaluar. Sipas disa postimeve në rrjetet sociale, e që janë publikuar në disa media, zoti Prigozhin duket të ketë qenë i pranishëm në takimin e Shën Peterburgut. E ardhmja e grupit që ai drejton do të jetë një çështje urgjente për vende të tilla si Sudani, Mali si dhe të tjera që kanë bërë kontrata me ‘Wagner-in’, në këmbim të burimeve natyrore, sikurse ari.

Zyrtarët rusë dhe zoti Prigozhin kanë thënë se kompania do të vazhdojë të punojë në Afrikë.

Po kështu gjatë takimit dyditor pritet të diskutohet edhe rreth një propozimi për paqe në Ukrainë të ideuar nga udhëheqësit e vendeve afrikanë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button