Politika

Qeveri-prokurori, memorandum bashkëpunimi kundër informalitetit

Në kuadër të aksionit kundër informalitetit, qeveria shqiptare ka prezantuar sot memorandumin e bashkëpunimit mes ministrive përgjegjëse dhe institucioneve ligjzbatuese.

Memorandumi në fjalë, siç sqaroi ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, synon identifikimin dhe goditjen evazorëve dhe kontrabandistëve.

“Krimet ekonomike, ndonëse kalojnë në heshtje në sytë e publikut, shkaktojnë dëme të mëdha. Ndaj ne kemi nënshkruar këtë memorandum bashkëpunimi, kundër evazionit fiskal dhe kontrabandës. Ata që kanë bërë këto shkelje, që sot e tutje do të kalojnë në lupën tonë. Këto krime vrasin shtetin dhe të ardhmen”, ka deklaruar Tahiri.

Në të njëjtat linja, prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla ka paralajmëruar verifikiime në terren dhe ndëshkime serioze për autorët e këtyre veprave.

“Ndaj ne do kryejmë hetime të plota. Do bëjmë verifikime në terren. Në të gjitha rastet që konstatohet vepra penale, masat ndëshkuese do të merren në proporcion me dëmin e shkaktuar”, ka thënë Llalla.

Duke shprehur bindjen e tij për suksesin e kësaj nisme, kryeprokurori ka marrë si shembull memorandumin e nënshkruar me OSHEE në kuadër të aksionit kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë, “që nxorri para ligjit vjedhësit”.

Ai ka paralajmëruar me ndëshkime edhe punonjësit tatimorë, që shpesh bëhen bashkëpunëtorë në skemat evazore.

Edhe kryeministri Rama, duke u fokusuar në aksionin në fjalë, ka nënvizuar se ka qenë pikërisht bashkëpunimi mes institucioneve që mundësoi arritjen e rezultateve pozitive.

“Bashkëpunimi mes Ministrisë së Brendshme dhe Prokurorisë ka qenë baza e suksesit të aksionit ndaj informalitetit në energjitikë. Sot kemi një situatë tjetër në energji, falë uljes drastike të humbjeve dhe transformimit të gjithë sistemit të administrimit. Sot nuk kemi më një sistem që kërkon investim, por një sistem që krijon të ardhura”, ka thënë Rama.

Një tjetër sektor që sipas shefit të qeverisë realizon një evazion shqetësues është drejtësia, “ku gjyqtarët e korruptuar bëjnë evazion përditë me ligjet e vendit”.

“Mirënjohje kryeprokurorit që me shumë vendosmëri ka zbatuar angazhimet e marra në bazë të memorandumit të mëparshëm dhe jam i bindur se të njëjtën gjë do të bëjë për atë që u nënshkrua sot”, ka shtuar më tej Rama.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button