Bota

Fukuyama: Do të ishte e vështirë për Putinin ta përballonte humbjen e Krimesë

Francis Fukuyama: Mendoj se mundësia që Rusia të dështojë në këtë luftë tashmë është vendosur nga forcat ukrainase dhe aftësia e tyre heroike për ta mbrojtur veten. Aktualisht, jemi në një fazë të luftës ku është bërë një lloj pauze për pak kohë; Rusia vazhdon të humbasë një numër të konsiderueshëm të trupave ruse, në tentim e sipër për marrjen e këtij qyteti të vogël të quajtur Bahmut në rajonin e Donbasit. Mirëpo, që të gjithë janë duke e pritur një sulm nga pala ukrainase, dhe mendoj se kjo do të jetë shumë kritike lidhur me fundin e luftës, sepse nëse forcat ukrainase arrijnë ta fitojnë lirinë në këto dy rajone në jug, saktësisht në Herson dhe Zaporizhja, atëherë do të jemi në një pikë ku do të mund të flasim për negociata. Dhe, ju mund të shihni një lloj armëpushimi, që ka gjasa se do të respektohet për një kohë bukur të gjatë. Tani për tani, mendoj se nëse do të kishte negociata paqeje, do të ishte shumë keq për Ukrainën, sepse do t’u jepte rusëve një pjesë të mirë të territorit ukrainas. Dhe, kjo nuk do të ishte një situatë e mirë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni se do të ndodhë me Krimenë [e pushtuar nga Rusia] nëse ka negociata?

Francis Fukuyama gjatë intervistës.
Francis Fukuyama gjatë intervistës.

Francis Fukayama: Epo, unë besoj se mund të jetë një pikë e dobësie për Rusinë, sepse nëse ukrainasit janë të suksesshëm në çlirimin e rajonit të Hersonit, ata do ta kenë shkëputur Krimenë nga pjesa tjetër e territorit të kontrolluar të Rusisë. Ekziston një rrugë treni që lidh Rusinë me Krimenë, si dhe urën e ngushticës, dhe ata do të ishin në gjendje t’i presin në mënyrë efektive të dyja këto arterie. Dhe, në atë pikë, ata as nuk kanë nevojë të sulmojnë Krimenë; ata thjesht mund t’i mbajnë peng të gjitha forcat ruse atje. Dhe, kjo do të ishte një cenueshmëri e konsiderueshme që Ukraina do të kishte ndaj Rusisë.

Radio Evropa e Lirë: Nga pikëpamja gjeopolitike, nëse Rusia detyrohet të heqë dorë nga Krimeja në çdo negociatë, a mund të quhej humbëse, qoftë edhe nga audienca e brendshme në Rusi?

Francis Fukayama: Duke pasur parasysh se sa shumë kanë investuar për të rifituar Krimenë, është e vështirë të shihet se si Putini do t’i mbijetonte asaj nëse do t’i duhej të hiqte dorë. Prandaj, besoj se do të jenë në një situatë shumë të vështirë. Megjithatë, ukrainasve as që u duhet ta rimarrin Krimenë. Ata mund ta ndalojnë atë. Ata mund të ushtrojnë presion të konsiderueshëm mbi rusët në çdo kohë. Dhe, kështu do të ishte një avantazh shumë i madh strategjik për ta.

Radio Evropa e Lirë: Për ta kuptuar më mirë, le të marrim skenarin tuaj: Ata në fakt nuk e pushtojnë Krimenë, por e rrethojnë. Pas negociatave, Rusisë i kërkohet të heqë dorë nga Krimeja. A mund ta negociojmë këtë me Rusinë?

Francis Fukayama: Politikisht, do të ishte mjaft sfiduese. Është, gjithashtu, e paqartë nëse Ukraina do të ishte e gatshme të transferonte një pjesë të Donbasit [zona e Ukrainës lindore], pasi do të ishte një makth për ta që të detyroheshin të administronin territorin në kushtet aktuale që janë. [Shënim i redaktorit: Forcat ruse ose përfaqësuesit e tyre separatistë ukrainas që nga viti 2014 kanë kontrolluar zona të gjera të rajoneve rusishtfolëse të Luhanskut dhe Donjeckut, ku ata janë akuzuar për vrasje, dëbim dhe persekutim të banorëve pro-Kievit.]

Në atë pikë, të dyja palët janë të pambrojtura dhe kanë diçka për të humbur. Pra, në atë pikë, ju mund të përfshiheni në një formë më praktike diskutimi. Megjithatë, nuk shoh ndonjë marrëveshje zyrtare midis dy palëve për të hequr dorë nga Krimeja apo Donbasi. Andaj, besoj se do t’ju duhet një marrëveshje më pak formale.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni shkruar më shumë se një vit më parë se “Rusia po shkon drejt një disfate të plotë në luftën me Ukrainë”. Pra, më shumë se një vit më vonë, si qëndron parashikimi?

Francis Fukayama: Në kohën kur unë shkrova këtë, forcat ruse po përpiqeshin ende të rrethonin Kievin në një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky. Që atëherë, [trupat ruse] janë detyruar të tërhiqen nga Ukraina veriore, nga Harkivi dhe më pas nga Hersoni [qyteti], duke treguar dobësim. Duket se ka pak ngecje tani, por besoj se [ushtria ukrainase] do t’i japë fund. Pra, unë kam ende besim në aftësinë e Ukrainës për ta mbrojtur veten, edhe pse ka marrë më shumë kohë nga sa kisha parashikuar.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është rrezik për Gjeorgjinë në pushtimin rus të Ukrainës?

Francis Fukayama: Epo, gjithçka është në rrezik për Gjeorgjinë. Ka një degëzim në rrugën, në të cilën ndodhet Gjeorgjia tani: të vazhdojë përpjekjet e saj për t’u bërë pjesë e Evropës, pjesë e BE-së, ndoshta edhe për t’u bashkuar me NATO-n, ose të shkojë në drejtimin rus. Dhe, ka forca në Gjeorgji që e tërheqin atë politikisht në të dy drejtimet. Por, nëse do të shkojë në njërën apo tjetrën rrugë, do të varet shumë nga ajo që ndodh në Ukrainë, sepse sa më e fortë të jetë Rusia, aq më shumë përcaktohet rruga ruse. Dhe anasjelltas, sa herë që [presidenti rus Vladimir] Putin dobësohet, çdo vend rreth Rusisë ka më shumë liri veprimi. Kështu që, unë mendoj se fati i Gjeorgjisë është i lidhur me këtë luftë në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Ju si shumë të tjerë, jeni zë i lartë kritik ndaj mbështetjes joadekuate të Gjeorgjisë për Ukrainën. Dhe, më lejoni t’ju pyes: Çfarë mund dhe duhet të kishin bërë për t’i shmangur kritikat e tilla?

Francis Fukayama: Epo, do të ishte mirë nëse Qeveria gjeorgjiane do të kishte marrë një qëndrim të qartë në mbështetje të Ukrainës. Mendoj se neutraliteti i sjell dobi vetëm Rusisë. Dhe, ka shumë raporte dhe dëshmi se Gjeorgjia në të vërtetë po e ndihmon në heshtje Rusinë që t’i shmanget sanksioneve që janë vendosur nga Evropa dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Diçka që Qeveria gjeorgjiane e mohon vazhdimisht.

Francis Fukayama: Po, ky është problem, fakti se kjo qeveri nuk është transparente për motivet e saj dhe çfarë se po bën në të vërtetë. Dhe, kështu mund të luajë një lojë të dyfishtë ku pretendon të jetë neutrale, por, në fakt, po ndihmon njërën palë [më shumë] sesa tjetrën. Dhe, unë mendoj se kjo është pasojë e llojit të prirjes pro-ruse që ka kjo qeveri.

Radio Evropa e Lirë: Ju pohuat gjatë fjalimit tuaj se pjesëmarrja gjeorgjiane në BE do të ishte e paimagjinueshme për sa kohë që [ish-kryeministri dhe themeluesi i partisë qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane, Bidzina] Ivanishvili dhe mbështetësit mbeten në pushtet. Do të doja t’ju bëja një pyetje hipotetike. A do të kishin qenë gjërat ndryshe nëse Ivanishvili dhe Ëndrra Gjeorgjiane do të kishin adaptuar një politikë të jashtme më pro-perëndimore sidomos ndaj Ukrainës? Atëherë, a do të dukej më e realizueshme një e ardhme evropiane për Gjeorgjinë?

Francis Fukayama: Do të kishte qenë më realiste për mendimin tim. Ata, për mendimin tim kanë bërë gjithçka në fuqinë e tyre për të parandaluar hyrjen në Bashkimin Evropian. Prandaj, unë besoj se ata po keqtrajtojnë [ish-presidentin e burgosur] Misha Saakashvili, për shkak se kjo do t’i zemërojë evropianët. Do të jetë e vështirë nëse ai vdes teksa është nën kujdesin e tyre.

Dhe, ky është një problem i vërtetë sepse të gjitha të dhënat e sondazhit [dhe të tjera] dëshmitë sugjerojnë se një numër i konsiderueshëm gjeorgjianësh janë pro-rrugës evropiane dhe jo asaj ruse; dhe kështu qeveria me të vërtetë duhet të kuptojë se si ta bllokojë këtë, dhe unë mendoj se kjo është ajo që ata po kërkojnë të bëjnë.

Dhe, kjo do të thotë se politika nga ana e Evropës dhe e Shteteve të Bashkuara duhet të jetë një politikë që nuk është e drejtuar kundër Gjeorgjisë si një vend i tërë, por në të vërtetë… ajo duhet të drejtohet ndaj Qeverisë që po e shkakton këtë zhvendosje drejt Rusisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button