Qeveria ngre komision të posaçëm për dhënien e medaljeve, pas nderimit të figurave të diktaturës
Qeveria ka vendosur ngritjen e një strukture të posaçme për dekorimin e personaliteteve me kontribut të veçantë për vendin, hap që vjen pas disa precedentëve të diskutueshëm kur u dekoruan me modalje nderi përfaqësues të diktaturës komuniste si Vito Kapo apo Fecor Shehu.
Vendimi i qeverisë i datës 10 dhjetor është publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë, ku përcaktohen qartë edhe kushtet që duhen plotësuar për një person që të nderohet me medalje.
“Çdo autoritet, përgjegjës për dhënien e medaljeve ose titujve vendorë të nderit, sipas legjislacionit në fuqi për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, krijon pranë tij një komision këshillimor, në vijim “komisioni”, të përbërë prej 5 (pesë) anëtarësh, prej të cilëve 3 (tre) anëtarë duhet të jenë punonjës në varësi të autoritetit përgjegjës dhe 2 (dy) anëtarë personalitete të jashtëm, që përzgjidhen mes njerëzve të shquar dhe që kanë dhënë kontribut në fushën përkatëse.
2. Komisioni ngrihet, me urdhër të titullarit të autoritetit përgjegjës, çdo fillim viti kalendarik. Për vitin 2014, komisioni të ngrihet pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
3. Komisioni funksionon si organ kolegjial, vendimmarrës, pranë autoritetit përgjegjës për dhënien e medaljeve apo titujve vendorë të nderit”, thuhet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.