Qeveria pranoi kërkesën e opozitës për provimin e integritetit, Kuvendi voton sonte ndryshimin e Kushtetutës
Qeveria e Malit të Zi ka pranuar kërkesën e një pjese të opozitës që neni 91 i Kushtetutës të ndryshohet, ashtu që ligjet për provimin e integritetit të zyrtarëve të ardhshëm të qeverisë të miratohen me shumicë prej dy të tretash në Kuvend, siç njofton Vijesti. Këtë e bëri të ditur deputeti i Lëvizjes Evropa Tani (PES) dhe nënkryetari i Kuvendit, Boris Pejoviq.
Propozimin e kishte paraqitur më herët gjatë ditës deputeti i pavarur Nikola Janoviq. Siç shkruan Vijesti, Pejoviq njoftoi se deputetët do të deklarohen sonte për ndryshimin e Kushtetutës, i cili është kusht për mbylljen e kapitullit negociues 23 me Bashkimin Evropian. “Kush nuk voton për ndryshimet kushtetuese dhe për Këshillin Gjyqësor, pas gjithë këtyre paralajmërimeve nga Brukseli, nuk është sinqerisht për BE-në”, porositi Pejoviq, sipas raportimit të Portal Analitika.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) njoftoi në mbrëmje se nuk do ta mbështesë as propozimin fillestar të Qeverisë për ndryshimet kushtetuese e as zgjidhjen e re që parashikon ndërhyrjen në nenin 91, duke theksuar se mbrojtja e dinjitetit shtetëror dhe e rendit kushtetues për të është çështje parimi, jo tregtie politike, siç njofton Vijesti në raportimin e saj të drejtpërdrejtë nga seanca.
Debati në Kuvend u zhvillua gjatë gjithë ditës së hënë: ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë me futjen e provimit të integritetit për mandatarin dhe kandidatët për anëtarë të Qeverisë. Partitë e pakicave, ndërkaq, kanë kërkuar që paralelisht të trajtohen edhe çështja e mandateve të garantuara dhe Ligji për pasurinë detare — kërkesa që lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, i ka cilësuar pjesë të marrëveshjes për formimin e Qeverisë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.