Qeveria synon forcimin e tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive
Kuvendi miratoi në seancë plenare ndryshimet në ligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” që rrit më tej sigurinë e fondeve të investimeve.
Ndryshimet në ligj u bënë duke konsideruar karakteristikat e tregut të letrave me vlerë në Shqipëri, nevojat dhe objektivat e investitorëve aktualë e atyre potencialë të fondeve të investimeve, dinamikën e shpejtë të zhvillimit të tregut të fondeve të investimeve si edhe nevojën për të përforcuar mbrojtjen e interesave të investitorit.
Ndryshimet dhe shtesat në projektligj janë hartuar në kuadër të rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) lidhur me industrinë e fondeve të investimit në Shqipëri dhe synojnë forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive (SIK) në vend, duke vënë theksin në forcimin e administrimit të risqeve të tregut të fondeve të investimit dhe operatorëve të këtij tregu. Ky proces i administrimit të riskut është i rëndësishëm për mbrojtjen e investitorëve, nga risqet ndaj të cilave janë të ekspozuar sipërmarrjet e investimeve kolektive (SIK), gjatë kryerjes së veprimtarisë së tyre.
Amendimet e ligjit konsistojnë në dy elementë atë të saktësimit të kompetencave të AMF-së për të vendosur rregulla për kuadrin e administrimit të riskut, në funksion të mbrojtjes së interesit të investitorëve dhe saktësimin e regjimit të pezullimit të shlyerjes dhe shitjes së kuotave, si dhe kompetencave të AMF-së në këtë proces.
Deputeti Ervin Bushati theksoi se qëllimi i nismës është forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i tregut të sipërmarrjeve të investimeve kolektive në vend ku janë përfshirë më shumë se 30 mijë qytetarë e vlera arrin në thuajse 500 milion euro. Veç nismës për fondet e investimeve, Kuvendi miratoi edhe ligjin e ri për të drejtat e autorit.