Racizmi ynë i lehtë, banal dhe televiziv
Nga Bjorn Runa
Të dielën, një nga programet më tradicionale televizive të humorit, “Portokalli,” ricikloi një nga skeçet e veta më të vjetra, që në thelbin e vet ka zemërimin e tironsit autokton me të huajt që sipas tij i kanë “pushtuar” qytetin.
Vetëm se këtë herë, të huajt ishin vërtet të tillë në kuptimin e plotë të fjalës, pra emigrant nga vende të tjera, të cilët sipas skeçit, kishin nisur punë në zyrën e hipotekës.
Deri në momentin e këtij shkrimi, skeçi i publikuar nën titullin “Ramadani (‘Afganët në hipotekë’),” numëron rreth 16 mijë shikime në Youtube, me një trend në rritje, dhe me gjasë do të udhëtojë shumë më larg përmes klipeve të shkurtra në rrjetet sociale. Ironia është se ky lloj humori poshtërues shpesh e gjen audiencën e vet më të madhe mes atyre që e dinë më së miri se ç’do të thotë të stereotipizohesh dhe të kthehesh në shenjestër të humorit vetëm sepse nuk je si të tjerët.
Për fat të keq, skena jonë e komedisë është dominuar, kryesisht prej dembelizmit krijues, nga prirja për të shtyrë edhe më poshtë në hierarkinë sociale, ata të cilët janë në fund të saj. Siç duket, paragjykimi tani na ftn të qeshim me ata të cilët ndodhen më poshtë në hierarki se sa njerëzit që gjenden në fund të saj.
Nuk ka dyshim se, krahasuar me forma të tjera të komunikimit publik, komedia gëzon një licensë më të madhe për të “ofenduar” dhe policimi i shijeve është gjëja e fundit që do ta ndihmonte. Problemi këtu, më shumë se sa tejkalimi i ndonjë kufiri imagjinar sjelljesh, është se skeçi në fjalë nuk kishte asgjë komike veç faktit se njerëzit që po viheshin në lojë ishin të huaj, të karakterizuar si ca karikatura idiotësh, duke i hedhur kështu më tepër benzinë flakëve të racizmit që kanë nisur të digjen ndërkaq në cepat e shoqërisë sonë, qofshin ato digjitale apo fizike.
Prej disa vitesh, Shqipëria po importon më tepër krahë pune, pasi ka eksportuar për dekada me radhë punëtorë nëpër Europë dhe botë. Edhe vetëm kjo kontradiktë mund të ofronte mjaftueshëm material për një satirë interesante. Punëdhënësit ankohen se nuk gjejnë punëtorë, të cilët janë larguar masivisht nga vendi pikërisht për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të punës.
Për ta mbushur këtë boshllëk, punëtorë të huaj po vijnë dhe çuditërisht kthehen menjëherë në pjesën më të dukshme të një problemi të cilin nuk e kanë krijuar ata.
Por, ja që është më e lehtë të qeshësh me “afganin në hipotekë” sesa të pyesësh përse ka ardhur ai këtu.
Po lehtësia me të cilën flasim për këto çështje shtrihet përtej komedisë dhe humorit. Gjuha raciste për indianët, bangladeshasit, filipinezët e për këdo të sapoardhur tjetër, qarkullon lehtësisht jo vetëm online, por po zë një pjesë gjithnjë e më të konsiderueshme në diskursin tonë publik, shpesh pa turpin dhe sikletosjen që shoqërojnë paragjykime të tilla publike. Për punëtorët e huaj flitet vazhdimisht si për një masë, me raste si për një kërcënim dhe shpesh si provë se shqiptarët po “zëvendësohen.”
Ajo që të bën përshtypje këtu është se sa pak kokëçarje institucionale shkakton e gjithë kjo.
Autoriteti i Medias Audiovizive (AMA), me gjithë zellin e porsazbuluar për gjuhën e dhunshme në televizion, duket shumë më pak e shqetësuar kur në ekran normalizohet racizmi, seksizmi apo poshtërimi i grupeve shumë më pak të fuqishme për t’u mbrojtur.
Mund të diskutojmë pafundësisht për kufirin mes lirisë së medias dhe censurës në rastet e fundit të gjobitjes së programeve të ndryshme televizive ku prezantuesit nuk kanë ndërhyrë për të penguar promovimin e dhunës; mund të diskutojmë gjithashtu edhe lirinë shqetësuese të anonimatit të një pjese të konsiderueshme mediash online që nuk janë tjetër veçse instrumente gjobvënieje, por nëse papritur jemi kaq të interesuar për pasojat sociale të gjuhës së përdorur në televizion, është e çuditshme se sa moskokçarës jemi kur kjo gjuhë poshtëron njerëz për shkak të origjinës, pamjes apo edhe gjinisë së tyre.
Nuk dua që ky të jetë një argument për më shumë gjoba. Rregullatorët shtetërorë të shijeve janë e fundit gjë që iu nevojitet TV-ve tona. Por, nëse parimi është që transmetuesi duhet të mbajë përgjegjësi për paragjykimet dhe sjelljet që normalizon, atëherë si mund ta kuptojmë që kjo përgjegjësi shihet si emergjencë kur inkurajohet dhuna ndaj institucioneve dhe biznesit, por jo edhe aq kur në ekran normalizohet poshtërimi i atyre që kanë shumë më pak fuqi për t’u mbrojtur?
Vështirë të lexohet ndryshe veçse si një hierarki e dëmit, ku gjuha shihet si problem serioz në momentin që godet lart, por konsiderohet thjesht si humor kur godet mbi ata që janë më poshtë.
Me sa duket, kjo është marka jonë autoktone e racizmit: i lehtë, banal dhe televiziv.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.