Pse kemi ndër çmimet më të lira të energjisë për biznesin?
Nga Fatos Çoçoli
Sipas EUROSTAT (https://balkangreenenergynews.com/ireland-tops-eu-non-household-power-prices-as-serbia-leads-western-balkans/), Shqipëria ka ndër çmimet më të lira të energjisë për biznesin.
Energjia elektrike është një nga faktorët që përcakton konkurrueshmërinë e një ekonomie dhe aftësinë e saj për të tërhequr investime të huaja në industri, prodhim dhe përpunim.
Kur një investitor i huaj vendos se në cilin vend të Ballkanit do të ndërtojë një fabrikë, ai nuk pyet vetëm për nivelin e pagave, për taksat, për infrastrukturën rrugore, për distancën nga portet apo për madhësinë e tregut. Një nga pyetjet e para është edhe sa do t’i kushtojë energjia elektrike, sepse kjo është një kosto e përhershme, që ndikon drejtpërdrejt në çmimin e produktit dhe në fitimin e sipërmarrjes së tij.
Energjia jonë për biznesin, një e katërta më lirë se mesatarja e BE-së
Në këtë drejtim, Shqipëria paraqitet me një avantazh të rëndësishëm konkurrues. Sipas të dhënave të Eurostat për gjysmën e parë të vitit 2026, bizneset shqiptare të kategorisë së konsumit vjetor nga 500 deri në 2,000 MWh paguan 13.37 eurocent(një të qindtën e euros) për kilovatorë, pa TVSH.
Për të njëjtën kategori konsumatorësh, mesatarja e Bashkimit Evropian ishte rreth 18 eurocent. Kjo do të thotë se energjia elektrike për biznesin në Shqipëri kushton 26% më pak se mesatarja evropiane.
Tabela 1. Krahasimi i çmimeve në ballkan – eurocent/kwh
Vendi Çmimi
Mali i Zi 8.92
Maqedonia e Veriut 11.83
Bosnja dhe Hercegovina 11.86
Shqipëria 13.37
Bullgaria 14.52
Sllovenia 14.63
Serbia 15.28
Kroacia 16.10
Greqia ~17.00
Rumania 18.54
Mesatarja e BE-së 18.00
Burimi i shifrave: Të dhënat të Eurostat, të cituara për gjysmën e parë të vitit 2026. Vlerat janë pa TVSH dhe duhen krahasuar brenda së njëjtës kategori konsumi.
Ky është një tregues me rëndësi të veçantë për ndërmarrjet prodhuese dhe tregtare që përdorin sasi të mëdha energjie elektrike, si ato të industrisë së lehtë, të përpunimit ushqimor dhe ndërmarrjet e mëdha të shërbimeve. Pra, nuk kemi të bëjmë me një avantazh statistikor të kufizuar, por me një element konkret, që ndikon në vendimmarrjen e investitorëve të huaj.
Për ta kuptuar më mirë rëndësinë ekonomike të këtij diferencimi, mjafton të marrim shembullin e një fabrike që konsumon 1,000 MWh energji elektrike në vit.
Tabela 2. Kosto vjetore e energjisë/fabrikë
Shqipëri 133,700 €
Mesatarja e BE-së 180,000 €
Itali 225,300 €
Kursimi kundrejt BE-së 46,300 €
Kursimi kundrejt Italisë 91,600 €
* Vlera orientuese, sipas çmimeve të dhëna për gjysmën e parë të vitit 2026, pa TVSH.
Në raport me Italinë, partnerin tonë kryesor tregtar, diferenca është edhe më e madhe. Kjo diferencë mund të përkthehet në fitime më të larta tek ne, mundësi për uljen e çmimeve të produkteve, rritje të pagave, investime në teknologji dhe zgjerim të kapaciteteve prodhuese. Për një kompani që operon me marzhe të ulëta fitimi dhe konkurron në tregjet ndërkombëtare, kursimi prej dhjetëra mijëra eurosh në vit mund të bëhet vendimtar.
Shqipëria përballë vendeve të Bashkimit Evropian
Krahasimi me vendet e BE-së nxjerr në pah një pozicion relativisht të favorshëm të Shqipërisë. Italia, me 22.53 eurocent për kWh, renditet ndër vendet me energjinë më të shtrenjtë për biznesin në Bashkimin Evropian, pas Irlandës me 26.66 eurocent dhe Qipros me 23.06 eurocent.
Edhe ekonomitë e tjera evropiane të rajonit paraqiten me çmime më të larta se Shqipëria. Rumania paguan 18.54 eurocent, Greqia rreth 17 eurocent, Kroacia 16.10 eurocent dhe Sllovenia 14.63 eurocent. Edhe Bullgaria, e cila për shumë vite është konsideruar një destinacion konkurrues për shkak të kostove të ulëta të energjisë, rezulton me 14.52 eurocent për kWh.
Shqipëria, me 13.37 eurocent, ka një avantazh ndaj të gjitha këtyre ekonomive. Në fakt, çmimi shqiptar është afër niveleve të Danimarkës, Spanjës dhe Portugalisë, ndërsa në Bashkimin Evropian vetëm Suedia, me 11.77 eurocent, dhe Finlanda, me 9.28 eurocent, kanë çmime më të ulëta, sipas tabelave të EUROSTAT.
Ky pozicion është veçanërisht domethënës në kushtet kur Shqipëria ende nuk është anëtare e BE-së dhe kërkon të rrisë konkurrueshmërinë e saj, për të tërhequr investime prodhuese.
Ballkani, një garë ku Shqipëria ka avantazh
Nëse krahasimin e zhvendosim nga Bashkimi Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, rezultati është po aq interesant.
Shqipëria ka një çmim më të ulët se Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit dhe një nga konkurrentet kryesore për tërheqjen e investimeve industriale. Bizneset serbe paguajnë 15.28 eurocent për kWh, pothuajse dy eurocent më shumë se bizneset shqiptare. Për një fabrikë me konsum 1,000 MWh në vit, kjo diferencë përfaqëson rreth 19,100 euro kosto shtesë në Serbi.
Megjithatë, Shqipëria nuk ka çmimin më të ulët në të gjithë Ballkanin. Bosnja dhe Hercegovina, me 11.86 eurocent, Maqedonia e Veriut, me 11.83 eurocent dhe Mali i Zi, me 8.92 eurocent, rezultojnë më të lira.
Pra, Shqipëria renditet në një pozicion konkurrues në rajon, duke lënë pas gjashtë nga dhjetë ekonomitë e Ballkanit për të cilat disponohen të dhënat. Veçanërisht e rëndësishme është se ndër vendet që paguajnë më shumë se Shqipëria janë disa nga ekonomitë me të cilat vendi ynë konkurron drejtpërdrejt për investime në industri, përpunim dhe eksport.
Kosova mungon në këtë krahasim statistikor të gjashtëmujorit. Kjo lidhet edhe me ndryshimet në mënyrën e furnizimit të konsumatorëve të mëdhenj, pasi që nga qershori 2025, bizneset kosovare me mbi 50 punonjës ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor, blejnë energji në tregun e hapur.
Çfarë tregon tendenca e çmimeve të energjisë në Evropë?
Një tjetër element që duhet marrë në konsideratë është dinamika e çmimeve gjatë 12 muajve të fundit. Në Bullgari, energjia për biznesin është shtrenjtuar me 14.2%, ndërsa në Rumani rritja ka qenë rreth 7.9%. Në të kundërt, mesatarja e Bashkimit Evropian ka shënuar një rënie prej 5.4%.
Kjo tregon se çmimet e energjisë nuk janë një tregues statik. Ato ndikohen nga tregjet ndërkombëtare, struktura e prodhimit, kostot e transmetimit dhe shpërndarjes, taksat, kontratat e furnizimit dhe politikat energjetike të secilit shtet.
Për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm ruajtja e çmimit aktual konkurrues, por edhe krijimi i kushteve që ky avantazh të jetë i qëndrueshëm në afatgjatë.
Energjia e rinovueshme, një avantazh i dytë për eksportet shqiptare
Përtej çmimit, Shqipëria ka edhe një avantazh tjetër: strukturën e prodhimit të energjisë elektrike. Sipas të dhënave të ERE, në gjashtëmujorin e parë 2026, rreth 88% e energjisë elektrike u prodhua nga burimet hidrike dhe 12% nga panelet fotovoltaike. Kjo do të thotë se vendi mbështetet në një miks energjetik pothuajse tërësisht të rinovueshëm.
Ky fakt mund të kthehet në një avantazh konkurrues për eksportuesit shqiptarë. Tregjet evropiane po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi gjurmës së karbonit të produkteve, mënyrës së prodhimit dhe ndikimit mjedisor të zinxhirëve të furnizimit. Në këtë kontekst, një fabrikë shqiptare që përdor energji elektrike me origjinë të rinovueshme ka një argument shtesë përballë blerësve evropianë.
Për kompanitë që eksportojnë produkte në Itali, Gjermani dhe vende të tjera të BE-së, kjo bëhet një element i rëndësishëm në marrëdhëniet tregtare, veçanërisht në sektorët ku gjurma e karbonit është pjesë e kërkesave të furnizuesve dhe klientëve.
Megjithatë, duhet theksuar se përfitimi nuk është automatik. Eksportuesit duhet të dokumentojnë origjinën e energjisë së përdorur, përmes kontratave, garancive të origjinës ose mekanizmave të tjerë të njohur të certifikimit.
Nga avantazhi i çmimit tek strategjia e industrializimit
Ne duhet duhet ta shfrytëzojë çmimin konkurrues të energjisë elektrike që kemi si pjesë të një strategjie më të gjerë për industrializimin e ekonomisë sonë. Sektorët që mund të përfitojnë veçanërisht janë industria ushqimore dhe përpunimi agroindustrial, përpunimi i metaleve dhe materialeve të ndërtimit, përpunimi i drurit, letrës dhe produkteve kimike, prodhimi i komponentëve elektrikë dhe elektronikë, si dhe qendrat e të dhënave dhe shërbimet teknologjike, nëse sigurohen kapacitetet dhe furnizimi i pandërprerë për to.
Për të përfituar realisht nga ky avantazh, na nevojiten politika që nxisin investimet në teknologji moderne, eficiencë energjetike dhe prodhim me vlerë të shtuar. Energjia e lirë nuk duhet të përdoret thjesht për të mbajtur në këmbë modele prodhimi me produktivitet të ulët, por për të ndërtuar industri më konkurruese, që eksportojnë produkte më komplekse dhe krijojnë vende pune më të paguara.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.