Radio Bullgaria shënon përvjetorin e saj të 80-të, mes 12 gjuhëve edhe shqipja
Në vitin 2016 Radio Bullgaria shënon përvjetorin e saj të 80-të. Që në fillim të vitit 1936 Radio Sofja, siç e kishte emrin atëherë, filloi transmetimin e programeve me valë të shkurtra për dëgjuesit e saj jashtë shtetit. Fillimisht transmetoheshin vetëm lajme të shkurtra në gjuhën esperanto, kurse pas datës 1 maj 1937 programet u bënë të rregullta – pesë herë në javë, në esperanto, në italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht. Më 16 shkurt 1936 (ditën e diel) programi i mëngjesit i Radio Sofjes, i cili transmetohej për vendin, u transmetua edhe me valë të shkurtra dhe u dëgjua në Evropë, Afrikën Veriore, Amerikën Veriore dhe Kanada. Revista “Radioja e Re e Sofjes” publikoi citate të letrave të dëgjuesve nga jashtë, të cilët e kishin dëgjuar emisionin dhe kishin shkruar fjalë shumë të bukura për të.
Autorët dhe interpretuesit e programeve tona të para për jashtë shtetit nuk ishin emëruar me organikë. Redaktori në gazetën “La parole bulgare (“Fjala Bullgare”) Zhorzh Millçev i realizonte programet në gjuhën franceze, kurse Petër Uvaliev, i cili atëherë punonte në Drejtorinë e Shtypit, i bënte programet në gjuhën italiane. Pasqyra javore e ngjarjeve në Bullgari në gjuhën gjermane përkthehej nga nëpunësi në Ambasadën e Gjermanisë d-r Nauman, kurse inxhinieri Bori Gançev lexonte biseda në gjermanisht dy herë në javë. Zëdhënësi i emisionit anglez ishte Mihaill Haxhimishev (më vonë ai u bë regjisor i njohur i operës te ne). Emisionet esperanto lexoheshin nga industrialisti Stefan Gançev.
Që nga viti 1992 Programet e Radios Kombëtare Bullgare për jashtë shtetit e kanë emrin Radio Bullgaria. Programet transmetoheshin me valë të shkurtra dhe të mesme për tërë botën në 12 gjuhë: bullgarisht, rusisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht, spanjisht, serbisht, greqisht, shqip, turqisht dhe arabisht.
Që nga maji i vitit 2004 Radio Bullgaria publikon tekste, fotografi dhe audio në faqen e saj elektronike në internet në 11 gjuhë: në bullgarisht, rusisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, spanjisht, serbisht, greqisht, shqip, turqisht dhe arabisht. Më 31 janar 2012 për shkaqe financiare transmetimet me valë të shkurtra u ndërprenë. Sot Radio Bullgaria transmeton një program 24 orësh online në 11 gjuhë. Vazhdon transmetimi vetëm i programeve në gjuhën turke me valë të mesme dhe me valë të shkurtra. Radio Bullgaria është pjesë e familjes së madhe të Radios Kombëtare Bullgare, e cila sot shënon përvjetorin e saj të 81.
Fillimi i radio-transmetimit në Bullgari u vendos në muajin nëntor të vitit 1929, kur një grup inxhinierësh ndërtuan një radio-transmetues prej 60 vatësh në Sofje. Për herë të parë në eter u dëgjuan fjalët “Alo, alo këtu është Radio Sofja!”. Në fillim të vitit 1930 intelektualë, figura të njohura publike dhe inxhinierë të shquar – adhurues të radios themeluan organizatën shoqërore Bashkimin “Radioja amtare” Gjatë muajit qershor të vitit 1931 programet e “Radios amtare” u bënë të përditshme dhe vazhdonin rreth 3 orë. Përveç muzikës klasike, muzikës zbavitëse dhe muzikës popullore, radioja amtare transmetonte gjithashtu reklama, informacion për bursat, biseda dhe lajme nga buletini i Agjencisë Telegrafike Bullgare BTA.
Më 25.01.1935 Mbreti Boris III nënshkroi një dekret, me të cilin radio-transmetimi në Bullgari u bë pronë shtetërore. Kjo është “data e lindjes” së Radios së sotme Kombëtare Bullgare.