Rama: Askush nuk e merr dot peng reformën në arsim. Universiteti, problemin me veten
Kryeministri tha se universiteti i Tiranës është bishti i gjithë universiteteve në vend, sipas akreditimit të britanikëve.
“Universiteti i Tiranës nuk doli mirë nga akreditimi, dhe nuk e bënë as ekspertët e PS e as kushërinjtë e mij apo të Dhori Kules. Sfida është që në testimin tjetër çështjet e ngritura të jenë adresuar. Jeni bishti i gjithë universiteteve të Republikës së Shqipërisë, sipas britanikëve, kushërinj këtu britanikë nuk ka, ndaj i morëm nga Italia që të mos dilnim kushërinj. Për këtë s’ka faj as reforma, as ligji, as aktet nënligjore dhe besoj nëse flasim për përgjegjësi hajde ta ndajmë, por secili në pozicionin e vet”, tha Rama.
Për kryeministrin vonesa e pagave të pedagogëve erdhi si pasojë e një debati mes ministrisë së Arsimi dhe asaj të Financave për trashëgimin e grantit të pakushtëzuar.
“Vonesa e pagave është një shembull shumë i qartë i faktit që reforma është sfidë edhe për ne që e kemi udhëhequr dhe e kemi kthyer në legjislacion. Sepse na ka vonuar ne vetë si qeveri një debat midis ministrisë së Arsimit dhe të Financave, për çfarë? Për trashëgiminë e grantit të pakushtëzuar. MASR në këndvështrimin tim me të drejtë këmbëngul që granti i pakushtëzuar trashëgohet automatikisht dhe administrohet nga vetë universiteti, ministria e Financave këmbëngul që ‘po, të trashëgohet” po çdo vit duhet një aprovim i Ministrisë së Financave për trashëgueshmërinë”, thotë Rama.